Kërko

Kongregacioni i gjashtë i përgjithshëm Kongregacioni i gjashtë i përgjithshëm

Në Konklavin e 7 majit nuk do të marrin pjesë 2 kardinaj, për arsye shëndetësore

183 kardinaj, ndër të cilët 124 me të drejtë vote, ishin të pranishëm në Kongregacionin e gjashtë të Përgjithshëm, që u mbajt sot, më 29 prill. Më 7 maj, në orën 10.00, do të kremtohet Mesha “pro eligendo Pontifice” në Bazilikën e Shën Pjetrit. Pasdite, kardinajtë do të mblidhen në lutje në Kapelën Pauline përpara se të nisin procesionin drejt Kapelës Sikstine për të filluar Konklavin

R.SH. – Vatikan

Dy kardinaj nuk do të marrin pjesë në Konklavin e 7 majit, për arsye shëndetësore. Kështu, tani për tani, janë 133 kardinaj, që do të marrin pjesë në zgjedhjen e Papës së ardhshëm. Kështu njoftoi sot, 29 prill, drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni. Më hollësisht, ai u tha gazetarëve se në kongregacionin e gjashtë të përgjithshëm, mbajtur sot paradite, ishin të pranishëm 183 kardinaj, nga të cilët 124 zgjedhës. Pati rreth njëzet fjalime për Kishën, për sfidat me të cilat përballet dhe për mënyrën se si mund t'u përgjigjet, edhe sipas perspektivës së kontinenteve dhe vendeve të origjinës së kardinajve. Ndër temat e ndryshme të reflektimit: çështjet sociale, individualizmi, relativizmi, vetmia, roli qendror i Jezusit në përgjigjen ndaj nevojave të botës moderne, domosdoshmëria e ngushëllimit dhe e ungjillëzimit, përgjegjësia e Kishës për paqen. Takimi i sotëm filloi në orën 9 me lutje dhe me një meditim të Dom Donato Ogliari, Abatit të bazilikës së Shën Palit jashtë Mureve. Më pas, mbledhja, që përfundoi në orën 12.30.

Tre njoftime të mëtejshme

Salla e Shtypit bëri të ditur edhe tre hollësi të mëtejshme mbi fillimin e Konklavit. Më 7 maj, në orën 10.00, do të mbahet Mesha “pro eligendo Pontifice” në Bazilikën e Shën Pjetrit, kryesuar nga Dekani i Kolegjit të Kardinajve, kardinali Giovanni Battista Re. Pasdite, kardinajtë me të drejtë vote do të mblidhen në lutje në Kapelën Pauline, në Lozhën e parë të Pallatit Apostolik të Vatikanit, ndërsa më pas, në orën 16.30, do të vazhdojnë me procesionin drejt Kapelës Sikstine për të filluar Konklavin, që do të zgjedhë Papën e ri të Kishës Katolike universale.

Betimi i zyrtarëve dhe i të ngarkuarve me punë në Konklav

Po në Kapelën Pauline, por disa ditë më parë, të hënën, më 5 maj, në orën 17.30, do të bëhet betimi i zyrtarëve dhe i personelit të Konklavit, klerikë apo laikë, të miratuar nga kardinali Kamerleng dhe nga tri kardinajtë ndihmës. Sipas Kushtetutës Apostolike “Universi Dominici Gregis”, ata e shqiptojnë dhe e nënshkruajnë betimin e caktuar.

Më konkretisht, sipas neneve 46-47 të Kushtetutës, në orën 17.00, në Kapelën Pauline, duhet të jenë të pranishëm: sekretari i Kolegjit të Kardinajve; mjeshtri i Kremtimeve Liturgjike Papnore; ceremonierët papnorë; kleriku i zgjedhur nga kardinali, që kryeson Konklavin, për ta ndihmuar në detyrën e tij; rregulltarët, që shërbejnë në Sakristinë Papnore; rregulltarë të gjuhëve të ndryshme për rrëfimet; mjekë dhe infermierë; punonjësit e ashensorëve të Pallatit Apostolik; personeli përgjegjës për shërbimet e mensës dhe të pastrimit; personeli i Lulishteve dhe i Shërbimeve Teknike; punonjësit e transportit të votuesve nga Domus Sanctæ Marthæ në Pallatin Apostolik; koloneli dhe një major i Gardës Papnore Zvicerane, të caktuar për të mbikëqyrur zonën pranë Kapelës Sikstine; drejtori i Shërbimeve të Sigurisë dhe i Mbrojtjes Civile të Shtet-Qytetit të Vatikanit me disa nga bashkëpunëtorët e tij.

29 prill 2025, 15:41