Në Vatikan, mbledhja e parë e përgjithshme e kardinajve
R.SH. – Vatikan
Zgjati një orë e gjysmë, nga ora 9 deri më 10.30, mbledhja e parë e përgjithshme e kardinajve, paraditen e sotme, 22 prill, një ditë pas vdekjes së Papës Françesku. Të pranishëm në sallën e re të Sinodit ishin rreth gjashtëdhjetë kardinaj, të cilët e filluan takimin me një lutje për Papën, varrimi i të cilit do të kremtohet të shtunën, më 26 prill, në Sheshin e Shën Pjetrit.
Kardinajtë u betuan se do të respektojnë me besnikëri normat e Kushtetutës Apostolike “Universi Dominici Gregis”, që ka të bëjë me Selinë Apostolike vakante dhe me zgjedhjen e Papës së Romës. Më pas, ata kënduan himnin Adsumus, që është lutje drejtuar Shpirtit Shenjt, e cila thuhet prej shekujsh gjatë koncileve, sinodeve, ose asambleve të tjera të rëndësishme të Kishës. Gjithashtu, Kamerlengu i Kishës Katolike, kardinali Joseph Kevin Farrell, lexoi paragrafët 12 dhe 13 të Kushtetutës Apostolike, në të cilat përcaktohen detyrat e kardinajve në periudhën drejt zgjedhjes së Papës së ri, si edhe u lexoi të pranishmëve Testamentin e Françeskut, publikuar mbrëmë.
Kongregacioni i dytë, nesër, më 23 prill
Gjatë kongregacionit të kardinajve, u vendos edhe data e zhvendosjes së arkivolit në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe ajo e funeralit, siç është njoftuar tashmë nga Zyra e Kremtimeve Liturgjike Papnore. Mbledhja e dytë e përgjithshme do të mbahet nesër pasdite në orën 17.00, pasi paradite kardinajtë do të marrin pjesë në ritin e zhvendosjes së arkivolit.
Ndërkaq, pas funeralit të Papës, të nesërmen, e diel, 27 prill, mesha e dytë e Nëntëditëshit të zisë në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e shtegtarëve që vijnë në Romë edhe për Jubileun e Adoleshentëve, do të kryesohet nga kardinali Pietro Parolin. Kremtimet e meshëve të Nëntëditëshit do të bëhen çdo ditë, në orën 17.00.
Zgjidhen kardinajtë e Komisionit, që ndihmon Kamerlengun
Po sot, u zgjodhën tre kardinajtë e Komisionit, që ndihmon Kamerlengun për vendimet e zakonshme. Ata janë kardinali Pietro Parolin, kardinali Stanisław Ryłko dhe kardinali Fabio Baggio, një për çdo Urdhër nga i cili përbëhet Kolegji kardinalor: ai i ipeshkvijve, ai i meshtarëve dhe ai i diakonëve. Prelatët e këtij Komisioni zgjidhen çdo 3 ditë.
Pezullohen lumnimet e programuara
Kardinajtë vendosën gjithashtu të pezullohen të gjitha kremtimet e lumnimeve të programuara për ditët e ardhshme, deri në një vendim, që duhet ta marrë Papa i ri. Të dielën, për shembull, nuk do të shpallet shenjt i riu Carlo Acutis, kanonizimi i të cilit është shtyrë për më vonë.
Ndërkohë, për këtë mbrëmje, është paralajmëruar lutja e re e Rruzares në Sheshin e Shën Pjetrit, në orën 19.30, nga platforma X e Sekretarisë së Shtetit @TerzaLoggia. Do të drejtohet nga kardinali Giovanni Battista Re, Dekan i Kolegjit të Kardinajve.