Nga Argjentina, në Kongo e Portugali, të gjitha rrugët çojnë te Françesku
R.SH. / Vatikan
“Të gjitha rrugët çojnë në Romë”, thotë një fjalë e urtë. E sot, në Qytetin e Amshuar, të duket se e gjithë bota është bërë shtegtare, se ecën në shtigjet e shkelura nga një Papë ardhur "nga fundi i botës", i cili eci duke i holluar shputat e këpucëve të thjeshta të zeza - të njëjtat, të konsumuara, me të cilat kërkoi të varrosej.
Është agim. Ora gjashtë e mëngjesit. Ora e brishtë kur nata zgjatet e agimi i ndrojtur ndriçon ndërtesat e Via della Conciliazione. Drita e re, që reflektohet mbi mermere dhe fasada, luan butësisht edhe mbi fytyrat e besimtarëve, të cilët erdhën për t'i dhënë lamtumirën Papës Françesku, i cili u kthye në Shtëpinë e Atit të hënën, më 21 prill. Disa po zgjohen tani, të strukur në sacchi a pelo – a në thasë gjumi, përkthyer shqip - përgjatë trotuareve. Një heshtje e tensionuar dridhet në ajër, si litar gati për t'u këputur.
Një dolli për Papën
Një grup argjentinasish të rinj - nga Kordoba, tregojnë ata me krenari - po i kalojnë njëri-tjetrit shishe metalike uji. Personeli i sigurisë i bllokon në hyrje. Nuk ka rëndësi. Ata pijnë fshehurazi, pastaj vënë buzën në gaz. "Tekila, a e mban mend Papën?" - pëshpërit njëri, duke vënë gishtin tregues në buzë. Është dolli e heshtur për atë ironi të butë, që Françesku nuk pushoi kurrë s’e ofruari, as në çaste dhimbjeje. Si atëhere kur, duke folur për gjurin e tij të dëmtuar keqas, pati vënë buzën në gaz ndërsa thoshte: "Nuk do të më bënte keq pak tekila". Sot shakaja po bëhet rit. Një mënyrë për qëndresën njerëzore, për të besuar më fort.
Françesku, ndër të fundmit
Ndërsa lind dielli, Roma zbulohet: jo vetëm qyteti, por edhe udhëkryqi. Rrugët përreth Bazilikës bëhen lumë gjuhësh, dialektesh, flamujsh të shpalosur. Një atlas njerëzor, i hapur nën qiell. Françesku do të ulej pranë tyre. Pranë Beatriçes është një burrë i pastrehë, me flokë të zbehtë biondë, me shpinën mbështetur tek një derë të vjetër prej druri dhe me një thes gjumi të mbështjellë rreth gjunjëve. Nxjerr nga hunda re të gjata tymi. Që aty, shikon vetëm gjunjë të nxituar, këpucë të paduruara. I shikon ata me një zhgënjim të lehtë. Buzëqesh kur i kalojnë pranë adoleshentët e zhurmshëm, ardhur në Romë për Jubileun që u kushtohet.
Të jetosh në një botë më të mirë
Ndërmjet grupeve të ndryshme të pranishme, janë edhe të rejat portugeze nga famullia e Ericeira-s dhe Carvoeira-s, të bindura se trishtimi do t’i bashkojë besimtarët nga e gjithë bota dhe “do të sjellë më shumë adoleshentë në Romë në këtë Vit Jubilar”, thotë Margarida. “Papa Françesku i ka bashkuar njerëzit me mesazhin e tij të shpresës dhe të vëmendjes ndaj atyre që kanë më shumë nevojë”!
“Po, bashkoi katolikët dhe jo-katolikët, kishte shumë njerëz që e vlerësuan”, kujtojnë Manueli dhe Maria, të cilët, të ndrojtur, bien dakord me bashkëmoshatarët e tyre. Në të vërtetë të rinjtë i besojnë konkretësisë së vashës e, ashtu si Papa, duan të jetojnë në një botë më të mirë. Ata besojnë se tani, nga lart, Ai kujdeset për të gjithë ne dhe janë të lumtur me idenë se mund të flasin idealisht me të: “Do të doja t’i kërkoja të kujdesej për vendet në luftë, aq më tepër tani që është në qiell, në mënyrë që të mund t’i ndihmojë njerëzit, të cilët vuajnë dhe t’u japë shpresën, që u mungon”, shton Margarida. “Shpresoj se Papa Françesku do të më ndihmojë të gjej edhe më shumë fenë time, do të më ndihmojë të jem njeri më i mirë”, shprehet Diana me buzëqeshjen e sinqertë.
Shpresë për paqe, nga Kongo
Kënga, fillimisht e zbutur, bëhet lutje, dhe njëkohësisht, britmë, rezistencë, kujtim. Një kor me zëra gospel nga Kongo këndon variantin vendas të Amazing Grace, me nota të përthyera e shpresë. “Na dha forcën për të vazhduar, pavarësisht nga shëmtimet”, pëshpërit Jeanette, me dorën që i fshin lotët, paradoks zemërplasur për një këngëtare. “Duhet të flasim për këtë. Për luftën. Që bota ta dijë” - shton Kenneth, me shikimin e tij të ashpër, por plot besim. Zhvillimet e fundit flasin për armëpushim. "Le të shpresojmë. E shpresojmë. Do t’i jemi gjithmonë mirënjohës Françeskut". Paqja, si horizont i vetëm, bashkon çdo zë.
Kilometra të përshkuara për të thënë faleminderit
Disa histori duhen kërkuar. Të tjerë vijnë përballë. "Jeni gazetarë?" - pyet Madeleine, me sytë e përgjumur e me dy binjake të vogla në krahë. Ajo vjen nga Aix-en-Provence, Francë, duke përfituar nga disa ditë pushimi për Festën e Punëtorëve. Udhëtoi qindra kilometra për të falënderuar. Faleminderim për një frazë që, për vite me radhë, është ruajtur në zemrën e saj: e thënë nga Françesku, një fëmije, Emanuelit, i cili po qante për një baba ateist dhe kishte frikë se e kishte humbur përgjithmonë. "Zoti është krenar për babanë tënd... Zoti ka zemrën e një babai. Babai yt ishte një njeri i mirë. Ai është në parajsë, ji i sigurt", i kishte thënë Papa. Madeleine e përsërit, pa u dridhur, si lutje e thënë shumë e shumë herë. Buzëqesh. I lë mënjanë vajzat e largohet butësisht. E ata, pa ngurrim, e ndjekin.
Duke iu afruar fesë
Nga çdo cep i botës, shumë njerëz u nisën për udhëtim, për Papën, i cili dinte t’u fliste për besimin edhe atyre, që ishin larg. Ashtu si Sienna, një njëzet e gjashtë vjeçare nga Berlini, e cila të premten e kaluar, duke folur para mikrofonave të Vatikanit, kujtoi Fomo-n e saj – atë Frikë nga humbja e diçkaje që sot i mungon shumë. Duhej të ishte rinisur përsëri. Ndërsa mbeti. Tani ulet përdhe, me shpinën mbështetur mbi çantën e shpinës e sytë e humbur në qiell. Një çast më parë shkëmbeu disa fjalë me një vullnetare të ndihmës psikosociale, nën një tendë të bardhë, në buzë të sheshit. Shumë të rinj u afrohen barrierave. Kërkojnë një fjalë, një buzëqeshje, diçka që ua ngroh zemrën më shumë se dielli, i cili nganjëherë fshihet pas reve.
Një poezi që "nuk do të ketë kurrë vargun e fundit"
Të jesh këtu nuk është fundi. Është fillimi. Ashtu si rruga e përshkuar nga Françesku, e aftë të bashkojë fundin e botës - me qendrën e saj. Ceremonia mbaron, procesioni drejt Shën Marisë së Madhe lëviz ngadalë, si lutje e thënë në këmbë. Djemtë nga Kordoba marrin përsëri shishen e tyre të ujit, të zbrazur. Kush e di nëse, ashtu si Françesku, ata e duan bashkëkombësin e tyre Borges. Banderola e Scholas Occurrents kids përmban një përkufizim të Papës: "Mësues dhe poet". Një frazë, që sot tingëllon si testament, besuar Siennës, Kennethit, Jeanettes, djemve argjentinas, Beatrices:
"Të falënderoj dua... Whitmanin dhe Françeskun e Asizit, që e patën shkruar këtë poezi, për faktin se kjo poezi është e pashterrshme e ngatërrohet me shumën e krijesave e nuk do të arrijë kurrë në vargun e fundit e ndryshon sipas njerëzve".