Nga e gjithë bota, ngushëllime për vdekjen e Papës Françesku
R.SH. / Vatikan
Nga të katër anët e planetit lartohen mesazhe ngushëllimi, si lutje drejtuar Zotit, të mbartura nga era, si dëshmi të një dashurie që i kapërcen kufijtë dhe besimet. Bota mblidhet rreth figurës së Papës Françesku, i cili u rikthye në Shtëpinë e Atit në orën 7:35 të ditës së sotme, 21 prill 2025.
Solidaritet nga Anglia
Kryeipeshkvi i Jorkut, Stephen Cottrell, i cili aktualisht drejton përkohësisht Kishën e Anglisë, lëshoi një deklaratë në të cilën kujton fjalët që Françesku i pati drejtuar gjatë një takimi, në vitin 2023: "Ne ecim së bashku, punojmë së bashku, lutemi së bashku". Shprehje që, sipas kryeipeshkvit, përmbledh papninë e Papës Françesku, "i vetëdijshëm për ndarjet e pranishme brenda Kishës", por në të njëjtën kohë, i gatshëm për të dëgjuar dhe për të vendosur "procesin e sinodalitetit", i cili përfaqëson "trashëgiminë e përhershme për Kishën Katolike Romake dhe për të gjithë ne".
Mbreti Charles III i bëri homazhe Papës Françeskut, duke kujtuar "dhembshurinë" dhe angazhimin e tij ekumenik, në një mesazh të lëshuar nga Pallati Buckingham edhe në emër të Mbretëreshës Camilla. Dy javë më parë, çifti mbretëror e takoi Papën në një vizitë private në Vatikan, gjatë vizitës në Romë.
Homazhe Françeskut, nga politika evropiane
Mesazhe të shumta vijojnë të mbërrijnë edhe nga institucionet politike evropiane. Besimtarët "mund të gjejnë ngushëllim në idenë se trashëgimia e Papës Françesku do të vazhdojë të na udhëheqë të gjithëve drejt një bote më të drejtë, më paqësore dhe më të dhembshur", shkruan presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në X. "Nga Buenos Aires në Romë, Papa Françesku donte që Kisha të sillte gëzim dhe shpresë për më të varfërit e të varfërve. T’i bashkonte njerëzit me njëri tjetrin e me natyrën! Urojmë që kjo shpresë të rilindë pas Tij” është mesazhi i presidentit të Republikës franceze, Emmanuel Macron.
"Françesku do të mbahet mend për angazhimin e tij të palodhshëm në shërbim të anëtarëve më të ligshtë të shoqërisë, të drejtësisë dhe të pajtimit. Përvujtëria dhe besimi në mëshirën e Zotit ishin parimet e tij prijëse", shkruan kancelari gjerman Friedrich Merz. "Ai dinte të jepte shpresë, të lehtësonte vuajtjet përmes lutjes dhe të krijonte unitetin. U lut për paqen në Ukrainë dhe për ukrainasit. Ne vajtojmë së bashku me katolikët dhe të gjithë të krishterët që kërkuan mbështetje shpirtërore te Papa Françesku", shkruhet në mesazhin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. Një "person i jashtëzakonshëm", "mbrojtës i madh i drejtësisë dhe i njerëzimit" që "nxiti dialogun ndërmjet Kishës Katolike të Romës dhe Kishës Ortodokse Ruse". Ky, kujtimi i presidentit rus Vladimir Putin në një telegram dërguar Vatikanit, publikuar edhe në faqen e Kremlinit.
Papa Françesku gëzonte autoritet të madh ndërkombëtar si "shërbëtor besnik i mësimit të krishterë, si njeri i fesë, si burrë shteti i urtë, si mbrojtës i qëndrueshëm i vlerave të larta të humanizmit dhe drejtësisë", thekson Putin, duke kujtuar se "gjatë papnisë së tij ai nxiti në mënyrë aktive ndërveprimin konstruktiv të Rusisë dhe Selisë së Shenjtë".
Papa kujtohet përtej oqeanit
Ngushëllime për vdekjen e Papës Françesku vijnë edhe nga jashtë kontinentit evropian. “Pushofsh në paqe, Papa Françesku”, ky postimi përkujtimor i publikuar në profilin X të Shtëpisë së Bardhë, së bashku me fotografitë e Papës me Presidentin dhe Zëvendës Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe JD Vance. Në një postim të veçantë, nënpresidenti amerikan, i cili u takua me Françeskun, dje, në mëngjesin e Pashkëve, shprehu afërsinë e tij me bashkësinë e krishterë dhe kujtoi predikimin e Françeskut me rastin e çastin e jashtëzakonshëm të lutjes ndër shkallët e Bazilikës së Shën Pjetrit, mbajtur më 27 mars 2020. “Ishte vërtet shumë bukur”, shkruan Vance.
Presidenti izraelit Isaac Herzog i dërgoi ngushëllimet e tij botës së krishterë dhe, në veçanti, bashkësive të krishtera të Tokës së Shenjtë". "Një njeri me besim të thellë dhe pasion të pakufi," shkroi Herzog në profilin e tij X, Françesku "ia kushtoi jetën e tij ngushëllimit të të varfërve dhe kërkimit të paqes në një botë të trazuar". Presidenti izraelit shpreson se lutjet e Papës për përfundimin e konflikteve në Lindjen e Mesme "dhe për kthimin e pengjeve do të marrin përgjigje së shpejti".
Presidenti i Argjentinës dhe bashkatdhetari i tij, Javier Milei, shkroi në rrjetet sociale se "pavarësisht dallimeve që sot duken minimale", takimi me Papën "në mirësinë dhe mençurinë e tij" ishte "nder i vërtetë". Presidenti indian Narendra Modi kujtoi në rrjetet sociale takimet e tij me Papën dhe "angazhimin për zhvillim gjithëpërfshirës dhe të gjithanshëm. Dashuria e tij për popullin indian do të mbetet gjithmonë e gjallë". Kryeministri australian Anthony Albanese tha në një fjalim televiziv kombëtar se të gjithë flamujt do të valëviten në gjysmështizë në ndërtesat qeveritare të marten, si një shenjë respekti për Papën e ndjerë. "Për katolikët australianë ai ishte kampion i përkushtuar dhe baba i dashur" kujtoi Albanese. Papa Françesku e jetoi besimin dhe thirrjen e tij me fjalë dhe vepra. Ai ishte vërtet burim frymëzimi.
Kujtimi i kardinajve dhe ipeshkvijve
Kardinali Luis Gerardo Cabrera Herrera, Kryeipeshkëv i Guayaquil, Ekuador, shprehu besimin se fjalët "e ngrohta dhe të qeta" të Papës "do të vazhdojnë të na shoqërojnë në shtëpinë e Atit si shtegtarë shprese". Cabrera Herrera, krijuar kardinal nga Françesku në Koncistorin e 7 dhjetorit 2024, shkroi se si, me rastin e Pashkëve, "me kalimin nga vdekja në jetë, nga dhimbja në gëzim", Françesku u bashkua me "ringjalljen" e Jezusit.
"Zoti e mirëpret në shoqërinë e tij të përjetshme, pranë Atit. Faleminderit Papa Françesku. Më shumë se kurrë, lutu për ne" - është mesazhi i Imzot Éric de Moulins-Beaufort, president i Konferencës Ipeshkvnore Franceze.
Mesazhi i Konferencës Ipeshkvnore Italiane (CEI)
"Është çast i dhimbshëm dhe vuajtje e madhe për të gjithë Kishën. Ne ia besojmë Papën Françesku përqafimit të Zotit, me sigurinë, siç na mësoi ai vetë, se "çdo gjë zbulohet në mëshirë, gjithçka zgjidhet në dashurinë e mëshirshme të Atit". Kështu shprehet kardinali Matteo Maria Zuppi, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit të CEI. "Tani është koha për heshtje dhe lutje," shton kryeipeshkvi në një mesazh të dytë, "dhe ne falënderojmë Zotin për dhuratën e Papës Françesku, për shërbimin e tij të palodhur në këto vite dhe për dëshminë e tij, deri në fund, me besim e shpresë. Me gjestet e tij e me fjalën na ndihmoi të ecim, të dalim, të shkojmë në periferitë, edhe ekzistenciale, të takojmë shumë njerëz duke u kujtuar se jemi Fratelli Tutti.
Bota qan, tani është koha e heshtjes dhe e lutjes, si falënderim për shërbimin e tij, për atë figurë që do të na shoqërojë kur të qajmë me gëzim për Ringjalljen dhe më pas për dhurimin e tij deri në fund".
Ngushëllime nga institucionet italiane
“Me dhimbje të thellë personale mësova lajmin e vdekjes së Papës Françesku, duke ndjerë zbrazëtinë e rëndë që krijohet nga humbja e një pike referimi, të cilën ai e përfaqësoi gjithmonë për mua” - shkruan Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit Quirinale. "Vdekja e Papës Françesku - shton - ngjall dhimbje dhe emocione tek italianët dhe tek mbarë bota. Mësimi i tij ka kujtuar gjithë mesazhin ungjillor, solidaritetin mes njerëzve, detyrën e afërsisë me më të dobëtit, bashkëpunimin ndërkombëtar, paqen në njerëzim. Mirënjohja ndaj tij duhet të shprehet në përgjegjësinë për të punuar, siç ka bërë vazhdimisht, për këto objektiva".
Pata privilegjin të shijoj miqësinë e tij, këshillat dhe mësimet e tij, të cilat nuk dështuan asnjëherë as në çaste prove e vuajtjesh”, shkruan kryeministrja italiane, Giorgia Meloni. "Në meditimet e Via Crucis na kujtoi fuqinë e dhuratës, e cila e bën gjithçka të lulëzojë përsëri dhe është e aftë të pajtojë atë që në sytë e njeriut është e papajtueshme. E i kërkoi edhe një herë botës guximin për të ndryshuar kursin, për të ndjekur një rrugë që nuk shkatërron, por kultivon, riparon, mbron".