Papa - çifteve të reja në një tekst të pabotuar: besoni në "gëzimin e dashurisë"
R.SH. / Vatikan
Dashuria krahasohet me tangon, vallen e atdheut të tij, Argjentinës, të cilën Papa Françesku kujtoi se e kishte vallëzuar “shpesh” kur ishte i ri. Një "lojë e mrekullueshme falas, burrë e grua". Kështu hapet teksti i pabotuar, që Papa e shkroi si parathënie të librit “Youcat. Dashuri Përgjithmonë”, botuar nga Fondacioni Youcat, botues i Katekizmit zyrtar për të rinjtë e Kishës Katolike. I hartuar për të shoqëruar brezat e rinj në rrugën drejt martesës së krishterë, vëllimi do të botohet së shpejti.
"Jetë e plotë"
Në vallen tradicionale argjentinase, shkruan Papa, "valltarët meshkuj dhe femra e miklojnë njëri-tjetrin, jetojnë afërsi e distancë, sensualitet, vëmendje, disiplinë e dinjitet. Gëzohen në dashuri e ndiejnë se çdo të thotë të dhurohesh plotësisht". Megjithatë, syri i Papës nuk zhgënjehet: “Sa martesa dështojnë sot pas tre, pesë a shtatë vjetësh?”- vëren. "A nuk do të ishte më mirë, atëherë, ta shmangnim dhimbjen, duke prekur njëri-tjetrin si në valle kalimtare, të kënaqeshim me njëri-tjetrin, të luanim së bashku dhe pastaj të largoheshim?"- pyet. "Mos e besoni!" - përgjigjet me forcë, duke iu drejtuar të rinjve. "Besoni në dashuri, besoni në Zot dhe besoni se mund ta përballoni aventurën e një dashurie që zgjat gjithë jetën". Në qenien njerëzore banon “dëshira për t’u mirëpritur pa ngurrim”, e prirja për ta provuar të çon në përfitim përfundimtar: “në jetën e plotë”.
" Me dashurinë nuk luhet "
“Një trup i vetëm!” shkruan Françesku, duke cituar Shkrimin Shenjt dhe duke kujtuar atë bashkim martesor, për të cilin “është e nevojshme përgatitja e përshtatshme”, sepse “e gjithë jeta jetohet në dashuri e me dashurinë nuk mund të bëhet shaka”. Prandaj, Papa propozon “katekumenatin”, term që në Kishën e hershme kishte kuptimin “e një udhëtimi shpesh shumëvjeçar të të nxënit dhe verifikimit personal”. Një rrugë që të çon drejt asaj Amoris laetitia - nga titulli i Nxitjes së tij Apostolike pas-sinodale - drejt atij “gëzimi dashurie” që, “hap pas hapi”, “me sy plot habi, nuk duhet të ndalet kurrë”.