Kërko

2024.11.17 Giornata mondiale dei Poveri - Pranzo con i Poveri
Editorial

Papa Françesku dhe mësimi i tij për të varfrit: fjalë e gjeste

“Të fundmit” e Ungjillit, do të jenë të fundit, që do ta përcjellin

R.SH. / Vatikan

Andrea Tornielli

E kështu “të fundmit” do të jenë ata që do ta presin në pragun e Bazilikës së Shën Marisë së Madhe, e cila kujdeset për ikonën e Salus Populi Romani, nën vështrimin amtar të së cilës Françesku do të varroset së shpejti. Në pjesën e fundit të shtegtimit të tij tokësor si Ipeshkëv i Romës, i ardhur pothuajse nga skajet e botës, do të jetë i rrethuar jo nga të fuqishmit, por nga të varfrit, emigrantët, të pastrehët, të përjashtuarit, të cilët kanë qenë në qendër të faqeve të panumërta të mësimdhënies së tij, e edhe janë në qendër të çdo faqeje të Ungjillit.

Fjalët e thëna të Hënën e Pashkëve në mëngjes nga Kardinali kamerleng Kevin Joseph Farrell për të njoftuar vdekjen e papritur të Papës Françesku, e nënvizuan tashmë këtë element kyç të mësimdhënies së tij: "Ai na mësoi të jetojmë vlerat e Ungjillit me besnikëri, guxim dhe dashuri universale, veçanërisht në favor të më të varfërve dhe më të përjashtuarve". “Sa do ta doja një Kishë të varfër e për të varfrit”, pati thënë në fillim të papnisë së tij.

Për Kishën, zgjedhja e të varfërve është kategori teologjike, përpara se të jetë kategori kulturore, sociologjike, politike apo filozofike. Zoti u jep “mëshirën e tij të parë”. Ky parapëlqim hyjnor ka pasoja në jetën e fesë të të gjithë të krishterëve, të thirrur të kenë “të njëjtat ndjenja si Jezusi”, shkroi ai në thirrjen apostolike “Evangelii gaudium”, dokument që ende duhet ta kuptojmë plotësisht dhe që hapi rrugën e shërbesës së tij si Pasardhës i Pjetrit.

Fjalë, të cilat gjithmonë u shoqëruan me veprime dhe zgjedhje konkrete:

Papa i parë që zgjodhi emrin e Shenjtit të Asizit e ndoqi gjurmët e mësimeve të paraardhësve të tij,  si të Shën Gjonit XXIII, i cili një muaj para hapjes së Koncilit II Ekumenik të Vatikanit, pati thënë: "Kisha e paraqet veten ashtu siç është dhe siç dëshiron të jetë: si Kisha e të gjithëve e, veçanërisht, Kisha e të varfërve". Ky mësim i fjalëve dhe gjesteve, për Papën e parë të Amerikës së Jugut, e kishte origjinën në Ungjill dhe në mësimet e Etërve të parë të Kishës. Siç pati thënë Shën Ambrozi: "Nuk është pasuria jote, ajo që ua dhuron të varfërve; ti s’po bën tjetër, veçse po  ua kthen çka u përket. Sepse atë që është dhënë për përdorimin e të gjithëve, ju e bëni tuajën.

Toka u jepet të gjithëve, dhe jo vetëm të pasurve". Falë këtyre fjalëve, Shën Pali VI mundi të pohonte në enciklikën “Populorum progressio” se prona private nuk përbën të drejtën e pakushtëzuar dhe absolute për askënd, dhe se askush nuk është i autorizuar të rezervojë për përdorim të vet ekskluziv, çka i tejkalon nevojat e tij, kur të tjerëve u mungon e nevojshmja. Ose, si Shën Gjon Gojarti i cili, në një homeli të famshme, pati thënë: “A doni ta nderoni trupin e Krishtit? Mos lejoni të jetë objekt përbuzjeje në gjymtyrët e tij, domethënë në të varfrit, pa rroba për t’u mbuluar. Mos e ndero Krishtin këtu, në kishë, me pëlhura mëndafshi, ndërsa jashtë e lë pas dore kur vuan nga të ftohtit dhe lakuriqësia. Atë që tha: “Ky është korpi im”, tha gjithashtu: “Më patë të uritur dhe nuk më dhatë për të ngrënë”.

Larg leximeve ideologjike, Kisha nuk ka interesa politike për të mbrojtur kur bën thirrje për kapërcimin e asaj që Françesku e përcaktoi si "globalizim i indiferencës". I nxitur vetëm nga fjalët e Ungjillit, i mbështetur nga tradita e Etërve të Kishës, Papa na fton ta drejtojmë shikimin tonë tek “të fundmit”, të zgjedhurit nga Jezusi. Ata “të fundmë” që sot do ta shoqërojnë me përqafimin e tyre në çastin e fundit.

25 prill 2025, 22:29