Papa Françesku, dymbëdhjetë vjet dinamizëm i ri dhe porta të hapura
R.SH. / Vatikan
Papa Françesku ishte i pari në shumë gjëra. Papa i parë jezuit, Papa i parë me origjinë nga Amerika Latine, i pari që zgjodhi emrin Françesk, pa numër, i pari që u zgjodh me paraardhësin e tij ende gjallë, i pari që la Pallatin Apostolik, i pari që vizitoi tokën e pashkelur nga një Papë - nga Iraku në Korsikë - i pari që nënshkroi Deklaratën e Vëllazërimit Njerëzor me një nga autoritetet më të mëdha islame. Papa i parë që krijoi një Këshill Kardinajsh për të qeverisur Kishën Universale, për t'u caktuar role përgjegjësie grave dhe laikëve në Kurien Romake, për të krijuar një Sinod në Kishë që përfshinte popullin e Zotit në radhë të parë, për të shfuqizuar sekretin papnor për rastet e shpërdorimit seksual dhe për ta shlyer dënimin me vdekje nga Katekizmi. I pari, përsëri, për të udhëhequr Kishën, ndërsa në botë nuk është "një luftë e vetme" që tërbohet, por shumë luftëra, të vogla e të mëdha, "pjesë-pjesë" në kontinente të ndryshme. Një luftë që “është gjithmonë humbje”, siç përsëriti në mbi 300 thirrje, edhe kur zëri i tij po dobësohej pas shpërthimit të dhunës në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.
Procesi
Por Françesku, në shekull me emrin Jorge Mario Bergoglio, me siguri nuk do të kishte dashur që koncepti “i pari” të lidhej me papninë e tij që, në këto 12 vite, nuk ka synuar arritjen e objektivave apo rekordeve, por vendosjen e “proceseve”. Procese të vazhdueshme, procese të përfunduara apo të largëta, procese ndoshta të pakthyeshme edhe për këdo që e pason në fronin e Pjetrit. Veprime që lindin “dinamizëm të ri” në shoqëri dhe në Kishë - siç shkruan ai në udhërrëfyesin e papnisë së tij Evangelii gaudium – gjithmonë brenda horizontit të takimit, shkëmbimit, kolegjialitetit.
Nga fundi i botës
“Ta fillojmë këtë rrugë, ipeshkëv e popull”, ishin fjalët e para që u thanë nga Lozha e Bekimeve në Bazilikën e Shën Pjetrit në mbrëmjen e vonë të 13 marsit 2013, para një turme që kishte mbushur Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, një muaj në kulmin e vëmendjes pas dorëheqjes së Benediktit XVI. Papa 76-vjeçar, i zgjedhur nga kolegët e tij, kardinal "nga fundi i botës", i kërkoi asaj turme një bekim. Ai donte të shqiptonte një Të falemi Mari me njerëzit, duke u penguar me një italishte që nuk e kishte praktikuar aq shumë deri atëherë, e duke pasur parasysh vizitat e rralla në Romë të bariut nga Buenos Aires, gati për të mbyllur valixhet menjëherë pas Konklavit. Të gjithë njerëzit, të nesërmen, donin ta përshëndesnin nga afër duke shkuar me makinë në famullinë e Shën Anës, në Vatikan dhe më pas në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, në Romë, për të falënderuar Zojën Mari Salus Populi Romani, mbrojtëse e papnisë së tij, të cilës vazhdoi t'i lutej në çdo çast të rëndësishëm. E pikërisht në Bazilikën liberiane, Françesku shprehu dëshirën për t'u varrosur.
Bariu mes popullit
Afërsinë me popullin, trashëguar nga detyra e tij argjentinase, Papa e tregoi në mënyra të ndryshme në të gjitha vitet në vijim: me vizita te punonjësit e Vatikanit në zyrat e tyre, me të Premtet e Mëshirës gjatë Jubileut të 2016 në vendet e përbuzjeve dhe të përjashtimit, me të Enjtet e Mëdha të Pashkëve kremtuar në burgje dhe pritjet në qendrat romake periferike, me vizita të papritura dhe telefonata. E tregoi edhe në çdo shtegtim apostolik, duke nisur nga i pari në Brazil, në vitin 2013, të trashëguar nga Benedikti, nga i cili kujtojmë foton e Papës së bllokuar në mes të turmës.
Papa i parë në Irak
Papa argjentinas bëri dyzet e shtatë shtegtime ndërkombëtare, bazuar në ngjarje, ftesa nga autoritetet, misione për t'u kryer ose ndonjë "lëvizje" të brendshme, siç bëri ai vetë në fluturimin e kthimit nga Iraku. Po, vetë Iraku: tre ditë në mars 2021 ndërmjet Bagdadit, Urit, Erbilit, Mosulit dhe Qaraqoshit, toka dhe fshatra ende me plagë të dukshme terrorizmi, me gjak në mure dhe tenda të zhvendosurve nëpër rrugë, në mes të pandemisë Covid dhe shqetësimeve të përgjithshme për sigurinë. Një udhëtim që nuk këshillohej nga shumë njerëz për shkak të shqetësimeve shëndetësore dhe rrezikut të sulmeve e njëkohësisht, udhëtim i dëshiruar me çdo kusht. Udhëtimi "më i bukur", vetë Françesku e ka pohuar gjithmonë, sepse ishte Papa i parë që shkelte në tokën e Abrahamit, ku Gjon Pali II nuk mundi të shkonte dhe të bisedonte me liderin shiit Al-Sistani.
Porta Shenjte në Bangui dhe udhëtimi më i gjatë në Azinë Juglindore dhe Oqeani
Një kokëfortësi e mirë e shtyu në Irak, njëlloj si ajo që në vitin 2015 e solli në Bangui, kryeqytet i Republikës së Afrikës Qendrore të plagosur nga një luftë civile që në të njëjtat ditë të vizitës la njerëz të vdekur në rrugë. Në vendin afrikan, ku tha se donte të shkonte edhe nëse do të duhej të zbriste "me parashutë", Françesku hapi Portën Shenjte të Jubileut të Mëshirës me një ceremoni prekëse: ishte hera e parë që një Vit Shenjt u hap jo në Romë, por në një nga zonat më të varfra në botë. Kokëfortësi e mirë mund të përkufizohet edhe ajo që e frymëzoi të ndërmarrë, në moshën 87-vjeçare, udhëtimin më të gjatë, në shtator 2024: Indonezi, Papua Guinea e Re, Timor-Leste, Singapor. Pesëmbëdhjetë ditë, dy kontinente, katër zona kohore, 32,814 km me avion. Katër universe të ndryshme, që përfaqësojnë temat kryesore të magjisterit: vëllazëria dhe dialogu ndërfetar, periferitë dhe emergjencat klimatike, pajtimi dhe besimi, feja në Zotin e respekti ndaj njeriut, pasuria dhe zhvillimi në shërbim të varfërisë.
Nga Lampedusa - në Juba
E nuk mund të harrohet, duke kujtuar shtegtimet apostolike dhe vizitat baritore, udhëtimi i parë jashtë Romës, në ishullin e vogël të Lampedusës, Itali, skenë e tragjedive të mëdha migratore, me kurorën e luleve të hedhur në Mesdhe, mbi një "varrezë në ajër të hapur". Padia e përsëritur edhe në udhëtimin e dyfishtë në Lesbos (2016 dhe 2021) në kontejnerët dhe tendat e refugjatëve dhe të azilkërkuesve.
Në historinë e papnisë së Bergoglios, është edhe udhëtimi në Tokën e Shenjtë (2014); në Suedi, në Lund (2016) për festimet e 500 vjetorit të Reformimit Luteran; në Kanada (2022) me kërkesën për falje nga popullsitë indigjene për abuzimet e pësuara prej përfaqësuesve të Kishës Katolike. Dhe më pas, në Republikën Demokratike të Kongos dhe Sudanit të Jugut (2023), faza e fundit e përbashkët me primatin anglikan, Kryeipeshkvin Justin Welby dhe moderatorin e asamblesë së përgjithshme të Kishës së Skocisë, Ian Greenshields, nënvizim i vullnetit ekumenik për të shëruar plagët e një populli. Të njëjtat, që ai i ishte lutur për t’i shëruar udhëheqësve sudanezë të jugut, të mbledhur në vitin 2019 për një tërheqje dy-ditore në Shën Martë, përfunduar me gjestin e jashtëzakonshëm të puthjes së këmbëve të tyre.
E përsëri, Kuba dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (2015), udhëtim për të vulosur marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy vendeve. Ngjarje historike, për të cilën Françesku punonte prej muajsh, duke i dërguar letra Barack Obamës dhe Raul Castros për t'i nxitur të "fillojnë një fazë të re". Vetë Obama e falënderoi publikisht Papën. Në Havanë u zhvillua edhe një takim me Patriarkun Ortodoks të Moskës Kirill e u nënshkrua edhe deklarata e përbashkët për të vënë në jetë “ekumenizmin e bamirësisë”, angazhimin e të krishterëve për një njerëzim më vëllazëror. Angazhim që, vite më vonë, u bë tragjikisht aktual dhe në një farë mënyre, i paplotësuar, me shpërthimin e një lufte në zemër të Evropës.
Nënshkrimi i Dokumentit për Vëllazërinë Njerëzore në Abu Dhabi
I fundmi, por jo më pak i rëndësishmi, ndërmjet udhëtimeve, Abu Dhabi (2019) dhe Dokumenti mbi Vëllazërinë Njerëzore nënshkruar së bashku me imamin e madh al-Tayeb, duke kurorëzuar shkrirjen me universitetin sunit të Al-Azhar që nisi me një përqafim në Shën Martë dhe përfundoi me nënshkrimin e një teksti, menjëherë gur themeli në dialogun e ndryshëm islamiko-kristian.
Enciklikat
Përvojat, dialogët dhe gjestet e përjetuara gjatë këtyre rrugëtimeve ruhen në dokumentet e Papës. Janë katër enciklika: e para, Lumen Fidei, me temën e fesë, bashkëautor me Benediktin XVI; pastaj Laudato si', thirrje për "ndryshimin e drejtimit" në "shtëpinë e përbashkët" të gjunjëzuar nga ndryshimet klimatike dhe shfrytëzimi dhe për stimulimin e veprimeve që synojnë zhdukjen e varfërisë dhe sigurimin e barazisë në burimet e Planetit. Enciklika e tretë, Fratelli Tutti, gurthemeli i magjisterit, fryt i Dokumentit të Abu Dhabit, e profeci - para shpërthimit të luftërave të reja - e vëllazërisë, si e vetmja rrugë për të ardhmen e njerëzimit. Së fundi, Dilexit Nos për të rigjurmuar traditën dhe rëndësinë e mendimit "mbi dashurinë njerëzore dhe hyjnore të zemrës së Krishtit" dhe për të dërguar një mesazh për një botë që duket se e ka humbur zemrën.
Nxitjet Apostolike dhe Motu Propri
Shtatë janë nxitjet apostolike: duke nisur nga Evangelii Gaudium i përmendur tashmë në C’est la confiance, për 150 vjetorin e lindjes së Terezës së Krishtit Fëmijë. Pastaj, këshillat post-sinodale - Amoris Laetitia (Sinod mbi familjen), Christus Vivit (Sinod për të rinjtë), Querida Amazonia (Sinod për rajonin e Pan-Amazonit) - Gaudete et Exsultate mbi thirrjen për shenjtëri në botën bashkëkohore, Laudate seaqueaque thirrje për të plotësuar Laudate Deum.
Janë 60 dokumnentet Motu Propri për të rikonfiguruar strukturat e Kuries Romake dhe territorin e Dioqezës së Romës, për të modifikuar të drejtën kanonike dhe sistemin gjyqësor të Vatikanit, për të nxjerrë norma dhe procedura më të rrepta në luftën kundër abuzimit. Ky është rasti i Vos estis lux mundi, një dokument që përfshiu rezultatet, indikacionet dhe rekomandimet e Samitit për Mbrojtjen e të Miturve në Vatikan, në shkurt 2019. Një samit që përfaqësonte kulmin e punës për të luftuar pedofilinë ndërmjet klerit dhe abuzimin që nuk ishte vetëm seksual; shprehje e vullnetit të Kishës për të vepruar me të vërtetën dhe transparencën në një qëndrim pendestar. Me Vos estis lux mundi Papa Françesku krijoi procedura të reja për raportimin e ngacmimeve dhe dhunës dhe përfshiu konceptin e llogaridhënies, domethënë, duke siguruar që ipeshkvijtë dhe eprorët fetarë të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre.
Reforma e Kuries
Arrijmë tek proceset! Reformat kanë qenë konstante në papninë e Françeskut, i cili nuk donte të shpërfillte rekomandimet në kongregacionet a mbledhjet parakonklave të kardinajve, të cilët i kërkuan Papës për të ardhshmen ristruktorimin e Kuries romake e, në veçanti, financat e Vatikanit, të cilat për vite me radhë ishin në qendër të skandaleve. E Papa krijoi menjëherë Këshillin e Kardinajve, C9 (i cili u bë C6 dhe C8 me kalimin e viteve e me ndërrimin e anëtarëve), një "senat" i vogël, për ta ndihmuar në qeverisjen e Kishës universale dhe për të punuar për reformën e Kuries. Bashkimi i dikastereve të Vatikanit dhe ndryshime të tjera të titujve dhe organigrameve ishin shenjë e punës në vazhdim; hapi i fundit ishte Kushtetuta Apostolike Praedicate Evangelium: e pritur prej vitesh, ajo u shpall në vitin 2022, pa paralajmërim apo preambul, duke futur risi domethënëse. Ndërmjet tyre, themelimi i Dikasterit të ri për Ungjillëzimin, i kryesuar drejtpërdrejt nga Papa, dhe përfshirja e laikëve "në rolet e qeverisë dhe të përgjegjësisë". Në këtë valë ndryshimesh duhen parë emërimet e prefektit të parë laik, Paolo Ruffini, në Dikasterin e Komunikimit, të "prefektit" të parë në Dikasterin për Institutet e Jetës së Përkushtuar, Motrës Simona Brambilla dhe të guvernatorit të parë të qytetit të Vatikanit, motrës Raffaella Petrini.
Gratë
Gratë, një fill tjetër në këto vite të Bergoglios në fronin e Pjetrit, Papës që më shumë se të tjerët u besoi figurave femrore rolet e përgjegjësisë, që ngriti dy komisione për studimin e djakoneshave, që nuk reshti së kujtuari kurrë "gjeniun" femëror dhe përmasën amtare të Kishës (që "është grua” sepse është Kisha, jo Kishi").
"Të gjithë, të gjithë, të gjithë"
Një hapje, si shumë të tjera të realizuara nga Françesku. Hapje pa lot e pa kërcënime; për disa shumë shpejt, për të tjerët shumë të kujdesshëm. Këto janë procese. Ashtu si dhënia e sakramenteve për të divorcuarit dhe të rimartuarit, nga këndvështrimi i Eukaristisë si "ilaç" për mëkatarët dhe jo "ushqim për të përsosurit"; mirëpritja e personave LGBTQ+ me një ftesë për afërsi baritore, sepse brenda Kishës ka vend për "të gjithë, të gjithë, të gjithë"; kokëfortësia në dialogun me përfaqësuesit e feve dhe të komuniteteve të tjera të krishtera, pas shekujsh paragjykimesh dhe dyshimesh, edhe për shkak të "ekumenizmit të gjakut". Vështrimi kthehet edhe nga Kina, me Marrëveshjen e Përkohshme për emërimin e ipeshkvijve, nënshkruar në vitin 2019 dhe përtëritur tri herë. Një fije dialogu, mes pengesave dhe rikuperimeve, me një “popull fisnik” që Papa deshi ta vizitojë gjatë gjithë këtyre viteve. Dëshirë, e cila daton që nga aspiratat misionare të rinisë.
Misionar dhe sinodalitet
Misioni, kjo është gjithashtu temë kryesore. Në të vërtetë, "misionariteti", ftesë e përsëritur në tekste dhe predikime, shkon paralelisht me "sinodalitetin", një tjetër term që ka jehuar shumë herë në këto dymbëdhjetë vjet. Papa i kushtoi dy sesione të Sinodit (2023 dhe 2024) "sinodalitetit", duke përtëritur strukturën dhe funksionimin e asamblesë, duke kuptuar nevojën për të nisur udhëtimin sinodal "nga poshtë" e gjithashtu, duke krijuar dhjetë grupe studimi për t'u thelluar në temat doktrinore, teologjike dhe baritore pas punës.
Të varfër dhe emigrantë
Nga kjo papni do të kujtojmë më pas aksiomat që përmblodhën realitete të tëra kishtare, politike dhe shoqërore: "kultura e flaktë", "globalizimi i indiferencës", "Kisha e varfër për të varfërit", "Kisha në dalje", "barinjtë me erën e deleve", "etika globale e solidaritetit". Vëmendja ndaj të varfërve do të vazhdojë me kremtimin, në vitin 2017, të një Dite kushtuar atyre, karakterizuar gjithmonë nga dreka e Papës në Sallën Pali VI krah për krah me endacakët dhe njerëzit e pastrehë. Mësimi për mërgimtarët do të mbetet, i shprehur në katër foljet "mirëpresim, mbrojmë, promovojmë dhe integrojmë", si pika programore për të përballuar "një nga tragjeditë më të mëdha të këtij shekulli". Do të mbetet gjithashtu ftesa për të zhvilluar "kompromise të nderuara" si zgjidhje për konfliktet që po copëtojnë Evropën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën.
Angazhimi për paqen
Ato konflikte, bezdi e viteve të fundit, të denoncuara me thirrje dhe letra tingëlluese drejtuar nuncëve dhe popullatave viktima të dhunës, të zbutura përmes video-telefonatave - mbi të gjitha të përditshmet në famullinë e Gazës - apo misionet e kardinajve dhe dërgimi i gjërave të nevojshme, ishin tejet shqetësuese. "Nuk mendoja se do të isha Papë në kohë lufte" tha ai në podkastin e parë dhe të vetëm me median e Vatikanit për dhjetëvjetorin e zgjedhjes së tij.
Paqja ka qenë qëllimi i tij i vazhdueshëm. Për paqe, Papa Françesku kërkoi vazhdimisht lutje, bëri thirrje për ditë agjërimi dhe lutje - për Sirinë, Libanin, Afganistanin, Tokën Shenjte, Ukrainën - që përfshinte besimtarët e çdo hapësire; ia kushtoi Rusinë dhe Ukrainën Zemrës së Papërlyer të Marisë në vitin 2022; organizoi ngjarje historike, si mbjellja e një druri ulliri në Kopshtet e Vatikanit më 8 qershor 2014, me presidentët e Izraelit, Shimon Peres dhe të Palestinës, Mahmud Abbas. Për paqen, Papa bëri gjeste të pazakonta si shkuarja në makinën e tij, një ditë pas hedhjes së bombës së parë në Kiev, në zyrën e ambasadorit rus në Selinë e Shenjtë, Aleksandër Avdeev, duke u përpjekur të fillojë kontaktet me Presidentin Putin dhe të sigurojë gatishmërinë e tij për ndërmjetësim.
Papa Françesku qortoi vazhdimisht krerët e shteteve dhe të qeverive, i paralajmëroi komandantët e luftës se do të mbajnë përgjegjësi përpara Zotit për lotët e derdhur ndër popuj dhe stigmatizoi tregun e lulëzuar të armëve, duke nisur propozimin për të përdorur kostot e armatimeve, për të krijuar një Fond Global e për të zhdukur urinë. Ai bëri thirrje për ndërtimin e urave dhe jo të mureve, u bëri thirrje njerëzve që ta venë të mirën e përbashkët përpara strategjive ushtarake, ndonjëherë edhe duke u keqinterpretuar dhe kritikuar.
Risitë
Nuk i kanë munguar as kritikat vitet e fundit Papës argjentinas, i cili gjithmonë ka komentuar grupe dhe erëra të kundërta me një humor, "që i afrohet më shumë hirit të Zotit". Françesku i pyetur dhe i habitur, ndoshta i bëri disa njerëz të zinin hundët për thyerjen e tabuve dhe prishjen e protokolleve e zakoneve të vjetra. Ose me paraqitje në transmetime të drejtpërdrejta në internet dhe programe televizive, me përdorimin e platformës sociale X @Pontifex, në 9 gjuhë, si kanal për të përcjellë mesazhe të menjëhershme.
Kohë të vështira dhe probleme shëndetësore
Në këto vite gjithmonë të ngarkuara, me çaste shumë të rralla pushimi (dhe anulimin e pushimeve tradicionale papnore në Castel Gandolfo), pati çaste të vështira, mes proceseve ligjore - në radhë të parë gjyqit të gjatë dhe kompleks për menaxhimin e fondeve të Selisë së Shenjtë, çështjes Vatileaks 2, skandaleve të abuzimit dhe korrupsionit, publikimit të librave “pa fisniki e humanitet”. E nuk munguan mundimet shkaktuar nga shëndeti gjatë operacioneve në Gemelli në 2021 dhe 2023, shtrimi në të njëjtën Poliklinikë, sërish në 2023, për komplikacione respiratore, pastaj ftohjet, gripi, dhimbjet e gjurit që e detyruan të hipte në karrocë tre vitet e fundit. Së mbrami, qëndrimi më i gjatë në spital - 38 ditë - për shkak të pneumonisë dypalëshe. Probleme që nuk e penguan të ishte i pranishëm dhe pranë njerëzve, siç është parë javët e fundit, pas daljes nga spitali, me vizitat e befasishme në Sheshin e Shën Pjetrit, Bazilikën e Vatikanit dhe Santa Maria Maggiore, e fundit nga mbi njëqind vizitat para fillimit të Javës Shenjte.
Të dhënat e statistikave
Vështirësi të shumta që nuk e kanë penguar asnjëherë aktivitetin intensiv apo pjesëmarrjen në ngjarje. Disa statistika e dëshmojnë këtë: mbi 500 audienca të përgjithshme, dhjetë koncistore për krijimin e 163 kardinajve të rinj që ia rikthyen karakterin universal fytyrës së Kishës; mbi 900 kanonizime (duke përfshirë tre paraardhës: Gjoni XXIII, Gjon Pali II, Pali VI); "Vitet e veçanta", duke përfshirë ato për Jetën e Kushtuar (2015-2016), Shën Jozefin (2020-2021) dhe Familjen (2021-2022); katër Ditë Botërore të Rinisë: Rio de Zhaneiro, Krakov, Panama, Lisbonë. Dy jubile: i jashtëzakonshmi për Mëshirën në 2016 dhe i zakonshmi në 2025, aktualisht në zhvillim, me temë "Shegtarët e Shpresës".
Statio Orbis gjatë pandemisë Covid
Ishte një Papë, Jorge Mario Bergoglio, që kërkoi afërsinë me publikun e gjerë edhe përmes intervistave, librave, parathënieve, autobiografive. Një Papë për të cilin, ndoshta, më tepër se shumë fjalë e shumë shkrime, do të mbahet mend një ngjarje e paharrueshme: ai, i vetëm, i çalë, nën shi, në heshtjen e përgjithshme të bllokimit dhe me të vetmen zhurmë sfondi të një ambulance, teksa kalon Sheshin e Shën Pjetrit në kohën e pezulluar të pandemisë. Është Statio Orbis e 27 Marsit 2020, me botën e mbyllur në shtëpi duke parë në transmetim një burrë të moshuar, që dukej se mbante mbi supe barrën e plotë të një tragjedie, e cila përmbysi jetën dhe zakonet e përditshme. Njerëzimi ishte i pikëlluar, por Papa foli për shpresën. Njerëzimi tmerrohej, por Françesku fliste për vëllazërinë: "E kuptuam se ishim në të njëjtën barkë, të gjithë të brishtë dhe të çorientuar, por në të njëjtën kohë, të gjithë të thirrur për të vozitur së bashku".