Papa Françesku: nga 'fundi i botës', në udhëheqje të Kishës Universale
R.SH. / Vatikan
Françesku, i lindur Jorge Mario Bergoglio, argjentinas, ishte Papa i parë nga kontinenti amerikan. Para tij, asnjë tjetër i ardhur nga kontinenti i largët, nuk ishte zgjedhur kryetar i Kishës Katolike universale ose, siç tha vetë sapo u zgjodh, duke përshëndetur besimtarët nga Lozha e Bekimeve të Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikani "i pari i zgjedhur pothuajse nga fundi i botës!". I pari i zgjedhur ndër jezuitët. E, i pari edhe që zgjodhi emrin e Françeskut, 'manifest i mirëfilltë i Papnisë së tij’.
Lindi në Buenos Aires më 17 dhjetor 1936, në një familje me origjinë italiane: piemontezë nga provinca e Astit. Babai i tij, Mario Bergoglio dhe nëna, Regina Maria Sivori, ishin nisur në vitin 1928 nga Gjenova, në Argjentinë, ku do të lindte Jorge Mario, i pari i pesë fëmijëve, tre djem dhe dy vajza. Specialist kimik, në moshën 21 vjeçare, si u prek nga një pneumoni e rëndë, i hoqën pjesën e sipërme të mushkërisë së djathtë. Një vit më vonë hyri në seminarin e Jezuitëve, e në vitin 1963 u diplomua në filozofi.
U shugurua meshtar më 13 dhjetor 1969, ndërsa nga viti 1973 deri më 1979 ishte rektor i Fakultetit Teologjik dhe Filozofik në San Miguel. Papa Gjon Pali II e emëroi ipeshkëv-ndihmës i Buenos Aires në vitin 1992, ndërsa më 1998, kryeipeshkëv i dioqezës së kryeqytetit e, me këtë titull, edhe primat i Argjentinës. Më 21 shkurt 2001, Karol Wojtyla e krijoi kardinal, ndërsa nga viti 2005 deri në 2011 drejtoi Konferencën Ipeshkvnore të Kishës katolike të Argjentinës.
Konklavi pas dorëheqjes së Benediktit XVI dhe Shtëpia e Martës
Në Konklavin që zgjodhi Joseph Ratzinger më 2005, Bergoglio u përfshi ndërmjet kardinajve 'papabili' - “kandidatë për t’u zgjedhur Papë”. Sikur dihet ishte kardinali më i votuar pas kardinalit që do të bëhej Papë me emrin e Benedikti XVI. Me dorëheqjen e papritur të Papës Ratzinger, gjerman, më 12 mars 2013, do të hapej Konklavi i ri. Po dera e Kapelës Sistine në Vatikan do të mbyllej vetëm për dy ditë.
Pasditen e 13 marsit 2013, në votimin e pestë, tymi i bardhë mbi Sheshin e Shën Pjetrit jepte shenjën. Pas pak do të jepej edhe lajmi i ri 'Habemus Papam!'. Ishte zgjedhur pikërisht Jorge Mario Bergoglio, i cili do të zgjidhte emrin Françesk, Papa i parë në Historinë e Kishës që do të lidhej ngushtë me kujtimin e Shenjtit të të varfërve të Asizit.
E edhe jezuiti i parë, që u zgjodh Papë. Ai nuk deshi të jetojë në banesën papnore të Pallatit Apostolik, por zgjodhi Shtëpinë e Shën Martës, gjithnjë në Vatikan, ku jetoi si kardinal gjatë kongregacioneve e konklaveve.
Më 19 mars, mesha e parë e papnisë, në Sheshin e Shën Pjetrit, me praninë e 130 delegacioneve zyrtare nga mbarë bota.
Më 7 prill, zotërimi i katedrales së Romës, Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran.
Takimet 'historike' me Papën e Nderit dhe Jubileu i jashtëzakonshëm
Takimet me Papën e Nderit ishin të parat e Papnisë së tij, pasqyruar në media. Françesku dhe Benedikti XVI u takuan për herë të parë më 23 mars 2013 në Castel Gandolfo, ku strehohej Joseph Ratzinger, ndërsa priste të përfundonin punimet në manastirin Mater Ecclesiae në Kopshtet e Vatikanit, ku më vonë do të shkonte të jetonte. Ata përqafohen dhe më pas luten së bashku, të gjunjëzuar pranë njëri-tjetrit: një foto që do të tërhiqte vëmendjen e mbarë botës.
Më pas, ata u takuan sërish më 5 korrik në Vatikan, më 22 shkurt 2014 me rastin e Koncistorit të parë për krijimin e kardinajve të rinj dhe, sërisht, më 27 prill, në Sheshin e Shën Pjetrit në kremtimin e shenjtërimit të dy papëve, Gjon XXIII dhe Gjon Pali II, dhe më 19 tetor. Më pas, edhe në bashkëkremtimin e Meshës në Sheshin e Shën Pjetrit për Lumnimin e Palit VI. Ishte ngjarja e fundit e madhe publike, në të cilën qenë të pranishëm Papa Françesku dhe Papa i Nderit Benedikti XVI.
U takuan më vonë edhe në raste të tjera, si rasti i çdo ditëlindjeje (8 dhjetor 2015), ai për hapjen të Jubileut të jashtëzakonshëm të Mëshirës - shpallur me Bulën papnore "Misericordiae Vultus" të 11 Prillit 2015 - me Joseph Ratzinger i cili ishte dëshmitar i hapjes së Portës Shenjte, të cilën e kaloi menjëherë pas Jorge Mario Bergoglio. E megjithatë, akti i fundit 'zyrtar' është letra me të cilën Benedikti XVI, pikërisht pesë vjet pas Konklavit, më 12 Mars 2018, nënvizonte vazhdimësinë e plotë të papnisë së tij me atë të pasuesit të tij.
Lutja e Përbashkët për Tokën e Shenjtë, Dokument mbi Vëllazërinë Njerëzore
Me ndikim të madh, më 7 shtator 2013, vigjilja e lutjes në Sheshin e Shën Pjetrit për paqen në Siri. I rëndësishëm, në nivelin politik ndërkombëtar, është reflektimi dhe lutja e përbashkët për paqen në Lindjen e Mesme që Papa Françesku organizon - pas kthimit të tij nga shtegtimi nga 24 deri më 26 maj 2014 në Tokën e Shenjtë - për 8 qershorin e vitit 2013 me Presidentin izraelit Shimon Peres dhe udhëheqësin e Autoritetit Kombëtar Palestinez Abu Mazen, në Kopshte të Vatikanit.
Një 'gurë kilometrik' i dialogut ndërfetar do të jetë takimi në Abu Dabi, në Emiratet e Bashkuara Arabe, më 4 shkurt 2019 me Imamin e Madh të Al-Azharit, al Tayyb, për nënshkrimin e dokumentit "Vëllazëria njerëzore për paqen botërore dhe të jetuarit së bashku".
Pastaj në Havanë ndodh një 'mrekulli' diplomatike, me rifillimi i marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Kubës; dhe një takim ekumenik, me Kirill I, Patriarkun e Moskës, pas konsolidimit të miqësisë me Bartolomeun I, Patriarkun e Kostandinopojës dhe forcimit të marrëdhënieve me hebrenj "vëllezërit e mëdhenj" në Sinagogën e Romës. Gjithmonë në vazhdën e dialogut ekumenik që përfshin edhe botën protestante, me valdezët, luteranët dhe anglikanët.
Enciklikat “Laudato Si’” dhe “Fratelli tutti”
Papa Françesku është autor i katër enciklikave. E para, 'Lumen Fidei' - e nënshkruar nga Bergoglio më 29 qershor 2013, por me fragmente të gjata të përgatitura nga paraardhësi i tij Ratzinger - i kushtohet fesë së krishterë. "Të mos lejojmë që të na grabisin shpresën": kjo është nxitja, që jehon në dokument, i cili shpesh paraqitet si i shkruar me "katër duar". Por enciklikat, që karakterizojnë papninë e tij janë, pa dyshim, ato me përmbajtje 'françeskane': 'Laudato Si'’ dhe 'Fratelli Tutti'.
'Laudato Si', nënshkruar më 24 maj 2015, në ditën e Rrëshajëve dhe bërë publike më 18 qershor, është dokument, që nënvizon nevojën për një ekologji të gjithanshme, të njeriut dhe të planetit, për mbrojtjen e Krijimit dhe mbrojtjen e ambientit. Titulli dhe fillimi i saj citon drejtpërdrejt “Këngën e Krijesave” të Shën Françeskut të Asizit, duke bërë thirrje për një botë, që nuk është skllave e financave dhe e 'ekonomisë së përjashtimit'.
Më se pesë vjet më vonë, më 3 tetor 2020, Papa Françesku nënshkroi - në mënyrë të pazakontë, jo në Vatikan apo Lateran, por në Kuvendin e Shenjtë të Asizit - enciklikën e tij të tretë, 'Fratelli Tutti', publikuar të nesërmen për të përkuar me festën liturgjike të Shën Françeskut. Duke u nisur nga të dhënat tragjikisht aktuale të pandemisë së koronavirusit, Papa nxit miqësinë shoqërore dhe vëllazërimin universal, pa "lënë askënd pas". Enciklika e fundit e Papës Françesku, 'Dilexit Nos', kushtuar dashurisë njerëzore e hyjnore të Zemrës së Krishtit, u botua më 23 tetor 2024.
Edhe Nxitja apostolike 'Evangelii Gaudium' e 24 nëntorit 2013, ndonëse e botuar jo si enciklikë, shpjegon mirë si e kuptoi Françesku rolin e tij dhe të Kishës Katolike, duke kërkuar "kthesë në shërbesën papnore".
Më e ndërlikuar, ndërhyrja në mbarështimin e Kishës dhe të Kuries Romake, për reformën e së cilës formohet një Këshill prej nëntë kardinajsh, i riemërtuar nga media 'C9', më vonë reduktuar në C6, në të cilin merr pjesë edhe Sekretari i ri i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin - që e merr detyrën pas kardinalit Tarcisio Bertone – zgjedhur nga vetë Françesku më 15 tetor 2013, në krye të diplomacisë papnore.
Udhëtimet, i pari në Shqipëri
“Periferitë” – si ato ekzistenciale të njeriut, ashtu edhe ato gjeografike në mbarë botën – janë terreni i preferuar i udhëtimeve të tij apostolike. I pari u krye, jo rastësisht, në Lampedusa, Itali, ishulli sicilian ku zbarkojnë vazhdimisht emigrantët nga brigjet veriore të Afrikës, në kërkim të një të ardhmeje më të mirë. Udhëtimi i parë jashtë Italisë, por brenda Evropës, i përket Shqipërisë së vogël, ku pati shkelur edhe një Papë tjetër para tij, shenjti Gjon Pali II. Françesku mbërriti për një vizitë njëditore në Tiranë, më 21 shtator 2014, në një vend, që ende kishte plagët e martirizimit të klerit e të besimtarëve katolikë shkaktura nga diktatura komuniste, por që i jepte botës shembullin e bashkëjetesës vëllazërore ndërmjet feve. Mesazhi i Papës Françesku për Kishën, që sot tingëllon si amanet, shqiptuar në homelinë e Meshës në Tiranë, ishte ky:
“Kishë, që jeton në këtë tokën e Shqipërisë, faleminderit për shembullin tënd të besnikërisë. Mos e harroni folenë, historinë tuaj të largët, edhe sprovat; mos harroni plagët, por mos merrni hak. Vazhdoni të punoni me shpresë për një të ardhme të shkëlqyer. Shumë bij e bija të Shqipërisë kanë vuajtur, deri në flijimin e jetës. Dëshmia e tyre le t’i mbështesë hapat tuaj sot dhe nesër në rrugën e dashurisë, në rrugën e lirisë, në rrugën e drejtësisë dhe, mbi të gjitha, në rrugën e paqes”.
Vëmendja për emigrantët 'përsëritet' gjatë udhëtimit apostolik në ishullin grek të Lesbos, një territor ku dynden refugjatë, që ikin nga luftërat dhe dhuna në Lindjen e Mesme, por Papa u kushton shpesh mendime e thirrje edhe atyre nga Afganistani, Pakistani apo Bangladeshi, që përpiqen të arrijnë në Evropë përmes udhës ballkanike.
Në Itali, ku është Primat i Kishës Katolike, i bën homazhe Padre Pio-s, duke shkuar në Pietrelcina dhe San Giovanni Rotondo; viziton tokat e don Primo Mazzolari-t dhe don Lorenzo Milani-t, don Tonino Bello-s dhe don Pino Puglisi-t. Shkon disa herë në Asizin e Shën Françeskut, si edhe në Loreto. Viziton qytetet kryesore, duke filluar nga Cagliari e pastaj, shkon në Napoli, Torino, Firence, Milano, Gjenova, Bolonjë, Bari, Palermo, ndërsa në Romën “e tij” që e ka për Ipeshkëv, përveç kremtimeve tradicionale në bazilikat e mëdha papnore dhe Udhës së Kryqit në Koloseum, viziton famullitë më periferike nga pikëpamja gjeografike dhe shoqërore.
Periferitë ekzistenciale
Jashtë kufijve të Italisë, Papa shkon nga Brazili, për Ditën Botërore të Rinisë, në Rio de Zhaneiro, më 2013; në Poloni për DBR-në në Krakov, më 2016 e deri në Panama për DBR-në e vitit 2019. Ati i Shenjtë Bergoglio udhëton jashtëzakonisht: nga Toka Shenjte e Palestinës, Izraelit dhe Jordanisë në Marok e Turqi; nga Suedia në Portugali; nga Irlanda në Ballkan; nga Kaukazi në Balltik; në Azi dhe në Lindjen e Largët, me Korenë e Jugut dhe Filipinet, Mianmarin dhe Bangladeshin, Tajlandën dhe Japoninë – ku në Hiroshimë, bëri thirrje kundër armëve bërthamore – e shkoi edhe në Irak.
E, më tej, shtyhet deri në Amerikë me Kubën dhe SHBA-në dhe më pas në Meksikë, Bolivi, Ekuador, Paraguaj, Kolumbi, Kili, Peru... megjithëse ende jo në Argjentinën e tij; viziton brigjet e Mesdheut në Egjipt, ndërsa në Afrikën Qendrore, në kryeqytetin Bangui, hap Portën e parë të Shenjtë të Jubileut të jashtëzakonshëm të Mëshirës; e pastaj, në Kenia dhe Ugandë; në Mozambik dhe Madagaskar. Për të mos folur për fjalimet në asambletë më të mëdha ndërkombëtare: OKB, Bashkim Evropian, FAO.
“Mos harroni të luteni për mua”
Por krahas fjalimeve të tij për të mëdhenjtë e Tokës, krahas ngjarjeve ndërkombëtare, ndërhyrjeve fetare dhe diplomatike, do të jehojnë përgjithmonë fjalët e tij të thjeshta, të thëna kaq shpesh në publik: nga kapela e Shtëpisë së Shën Martës, në Vatikan, ku kremtonte Meshën e mëngjesit gjatë pandemisë, tek lutja e Engjëllit të Tënzot nga dritarja e Pallatit Apostolik e tek audienca e përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit mbushur gjithmonë plot e dramatikisht të zbrazët në pranverën e vitit 2020, gjatë emergjencës së koronavirusit, kur i vetëm, nën një shi të imtë, me Kryqin e mrekullive që pati shpëtuar Romën nga murtaja në sfond, në Statio Orbis të 27 marsit 2020 Papa kërkoi ndihmën e Zotit për ta ndalur pandeminë.
Për të përfunduar me përshëndetjet më ‘normale’ dhe, ndoshta, pikërisht për këtë arsye më ‘të pazakonta’, të paktën për gojën e një Pape, i cili, që nga çasti i parë i zgjedhjes së tij në Fronin e Shën Pjetrit, përsëriti: “Mirëmbrëma!”, “Mirëmëngjes!”, “Drekën e mirë!”. E edhe me atë kërkesë, që e thoshte gjithmonë, në çdo rast: "Mos harroni të luteni për mua".