Kërko

Papa, orët e fundit të qeta dhe "falënderimi" për kthimin në Shesh në mesin e popullit

Ndër fjalët e fundit të Papës ishin falënderimet ndihmësit të tij shëndetësor, Massimiliano Strappetti, që e inkurajoi të bënte shtegtimin e fundit me Papamobil të dielën, pas Urbi et Orbi: "Faleminderit që më solle përsëri në Shesh". Pastaj, pushimi i pasdites, darka e qetë e, më pas, në ag, dhimbjet, koma, vdekja, një ditë pasi e kishte përshëndetur botën, pas shumë kohe!

R.SH. / Vatikan

“Faleminderit që më ktheve në Shesh”. Ndër fjalët e fundit të Papës Françesku ishte falënderimi për ata që, gjatë kohës së sëmundjes, e edhe shumë kohë më parë, e ndoqën pas në çdo hap, pa u lodhur kurrë. Sidomos për Massimiliano Strappettin, infermierin që - siç pati thënë një herë - i shpëtoi jetën duke e këshilluar t'i nënshtrohej operacionit në zorrën e trashë e që Papa e emëroi, më pas, ndihmësin e tij shëndetësor, gjatë gjithë ditëve të shërimit në vitin 2022. Pranë tij gjatë 38 ditëve të shtrimit në Poliklinikën Gemelli e njëzet e katër orë gjatë pushimit në Shën Martë, Strappetti ishte me Papën edhe të dielën e Pashkëve, gjatë Urbi et Orbi. Një ditë më parë kishin shkuar në Bazilikën e Shën Pjetrit për të rishikuar "udhën" që duhet të bënin të nesërmen, kur Françesku do të zbriste më pas nga Lozha e Bekimeve të Bazlikën së Vatikanit.

Përqafimi turmës

Pas atij çasti, të dielën paradite, në ballkonin në zemër të fasadës së Bazilikës së Vatikanit, kur 35.000 besimtarët fillestarë ishin tashmë 50.000, Papa donte t’u bënte të papriturën e fundit, domethënëse, duke shkuar në Sheshin e Shën Pjetrit për një shëtitje me papamobil. Me frikë në fillim: "A mendon se mund ta bëj?" e pyeti Strappettin, i cili e qetësoi. Prej andej përqafimi me turmën dhe në veçanti me fëmijët: xhiroja e parë pas daljes nga Gemelli, e fundmja e jetës së tij.

I lodhur, por i lumtur, Papa falënderoi ndihmësin personal shëndetësor: “Faleminderit që më ktheve në Shesh”. Fjalë që zbulojnë nevojën e Papës argjentinas - i cili kontaktin e drejtpërdrejtë njerëzor e bëri vulën e tij - të kthehej rishtas në mes të njerëzve.

Orët e fundit.

Papa Françesku, pastaj, si pushoi pasdite, kaloi edhe një darkë të qetë. Rreth orës 5.30 të mëngjesit u dukën shenjat e para të sëmundjes e, pas tyre, ndërhyrja e shpejtë e njerëzve, që e vëzhgonin. Më shumë se një orë më vonë, pasi i bëri një gjest përshëndetjeje Strappettit, shtrirë në krevatin e dhomës së tij në katin e dytë të Shtëpisë së Shën Martës Papa, ra në koma. Nuk vuajti, gjithçka ndodhi shpejt e shpejt, tregon kush ishte pranë tij në ato çaste, të fundit.

Vdekje e menjëhershme, gati e papritur, pa zgjatje e britma të bujshme, për një Papë që e mbajti gjithnjë shumë të fshehtë gjendjen e tij shëndetësore. Vdekje që ndodhi një ditë pas Pashkëve, një ditë pasi kishte bekuar Romën dhe Botën, të nesërmen e përqafimit të fundit të njerëzve, pas një kohe të gjatë. Ai, i cili që në çastet e para të zgjedhjes, më 13 mars 2013, u kishte premtuar një rrugëtim “së bashku”...

22 prill 2025, 14:26