Papa Françesku, "revolucionar" në emër të Ungjillit
R.SH. / Vatikan
Pas njoftimit për vdekjen e tij, që ndodhi në orën 7.35 të mëngjesit të hënën e kaluar më 21 prill 2025, vazhdojnë të vijnë mesazhe ngushëllimi nga e gjithë bota, ndërsa me mijëra e mijëra njerëz vazhdojnë të dynden në Sheshin dhe Bazolikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, për t'u lutur për Papën e ndjerë.
Një Papë që pushtoi besimtarët dhe jobesimtarët. Një Papë “reformist” në emër të vëmendjes ndaj më të varfërve dhe të mënjanuarve, të atyre personave që ishin të fundit të shoqërisë, madje të hedhur e të refuzuar, një Papë sipas Lumturive Ungjillore të cilat ai vetë i ka treguar vazhdimisht si busull që duhet ndjekur në misionin që i qe besuar nga Jezu Krishti.
Shërbëtor i Zotit, me thjeshtësi e vëllazëri
Temat kryesore që përfaqësojnë të magjisterit e Papës Bergoglio janë: vëllazëria dhe dialogu ndërfetar, periferitë dhe emergjencat klimatike, pajtimi dhe besimi, feja në Zotin dhe respekti ndaj njeriut, luftimi i varfërisë, zhvillimi e pasuria në shërbim të së mirës së përbashkët.
Sigurisht, ka qenë Papa i parë jezuit. Jezuitët përpiqen të jenë shërbëtorë të Kishës, por Berggolio pranoi, duke menduar se ishte detyrë e tij t’i shërbente Kishës e njerëzimit me thjeshtësi të madhe, siç e pamë, dhe me frymë universaliteti.
Vëllazëria është rruga drejt paqes
Vëllazëria dhe dialogu: dy fjalë që kanë karakterizuar papninë e Bergoglios, i cili ka nënvizuar vazhdimisht nevojën për të krijuar “ura” midis feve dhe kombeve, në mënyrë që të mos dorëzohemi para realitetit të sotëm dhe një e ardhme e karakterizuar nga luftërat dhe dhuna.
Nga paqja tek kujdesi për të pambrojturit.
"I thjeshtë. I drejtpërdrejt. Kundër rrymës. Guximtar. Befasuese. I mprehtë. Njerëzor. Universal. Shenjtë": këto janë shprehjet që përsëriten në fjalët e atyre njerëzve që u rreshtuan dhe vazhdojnë të presin radhën për t’ dhënë lamtumirën e fundit Papa Françeskut. Dhe vërtet ka njerëz të të gjitha llojeve e kategorive në vargun e pafund që fillon në Piazza Pia, vazhdon përgjatë via Conciliazione, e pastaj përshkon Piazza San Pietro dhe mbërrin në Bazilikën e Vatikanit për ta parë Françeskun, për ta përshëndetur, për ta falënderuar, për t'u lutur.