Papa i Mëshirës
R.SH. / Vatikan
Andrea Tornielli
“Mëshira e Zotit është çlirimi dhe lumturia jonë. Ne jetojmë me mëshirë dhe nuk mund të lejojmë të jemi pa mëshirë: është ajri që thithim. Jemi shumë të varfër për të vënë kushte, duhet të falim, sepse duhet të falemi." Nëse ka një mesazh që më shumë se çdo tjetër e karakterizoi papninë e Françeskut dhe është i paracaktuar të mbetet, është ai i mëshirës. Papa na la papritur këtë mëngjes, pasi dha bekimin e tij të fundit Urbi et Obi ditën e mbrame të Pashkëve nga Lozha qendrore e Bazilikës së Shën Pjetrit, e pasi bëri edhe gjiron e fundit, për të bekuar e për të përshendetur.
Papa i parë argjentinas në historinë e Kishës trajtoi shumë çështje, veçanërisht vëmendjen për të varfërit, vëllazërinë, kujdesin për shtëpinë tonë të përbashkët dhe një jo të fortë dhe të pakushtëzuar për luftën. Por zemra e mesazhit të tij, që sigurisht pati ndikimin më të madh, është thirrja ungjillore për mëshirë. Për atë afërsi dhe butësi të Zotit ndaj atyre që ndjejnë nevojën për ndihmën e tij. Për mëshirën, si “ajri që thithim”, për të cilën kemi më shumë nevojë, pa të cilën do të ishte e pamundur të jetonim.
E gjithë papnia e Jorge Mario Bergoglios u jetua nën flamurin e këtij mesazhi, që është zemra e krishterimit. Që nga Engjëlli i parë i kremtuar më 17 mars 2013 nga dritarja e atij apartamenti papnor, që nuk do ta banonte kurrë, Françesku foli për qendërsinë e mëshirës, duke kujtuar fjalët që i pati thënë një zonjë e moshuar e cila erdhi për t’u rrëfyer, kur ai ishte bërë së fundmi ipeshkëv-ndihmës i Buenos Ajres: "Nëse Zoti nuk do të falte gjithçka, bota do të merrte fund".
Papa i ardhur “nga fundi i botës” nuk solli ndryshime në mësimet e traditës dymijëvjeçare të krishterë, por duke e rikthyer mëshirën në qendër të mësimit të tij në një mënyrë të re, ndryshoi perceptimin që kishte shumëkush për Kishën. Dëshmoi fytyrën amtare të një Kishe që përkulet mbi të plagosurin e veçanërisht, mbi të plagosurit nga mëkati. Një Kishë që hedh hapin e parë drejt mëkatarit, pikërisht siç bëri Jezusi në Jeriko, duke u ftuar në shtëpinë e të padurueshmit e të urryerit Zake, pa bërë asnjë pyetje, pa asnjë parakusht. E pikërisht për shkak se u tregua i dashur në këtë mënyrë, Zakeu e ndjeu veten mëkatar aq, sa në vështrimin e Nazareasit gjeti shtysën për të bërë kthesë!
Shumë njerëz, dy mijë vjet më parë, u shkandulluan kur e panë Mjeshtrin duke hyrë në shtëpinë e tagrambledhësit të Jerikos. E shumë u shkandulluan vitet e fundit nga gjestet e mirëseardhjes dhe afërsisë së Papës argjentinas me çdo kategori njerëzish, veçanërisht të “padurueshmëve” dhe mëkatarëve. Në predikimin e tij të parë në një meshë me shumë njerëz, në kishën e Shën Anës, në Vatikan, Françesku tha: “Sa prej nesh ndoshta meritojnë një dënim! E kjo do të ishte e drejtë. Por Ai fal! Si? Me mëshirë që nuk e fshin mëkatin: vetëm falja e Zotit e shlyen atë, ndërsa mëshira shkon përtej. Është si qielli: ne shikojmë qiellin, përplot me yje, por kur dielli vjen në mëngjes, me aq shumë dritë, yjet nuk mund të shihen. Kështu është mëshira e Zotit: një dritë e madhe dashurie, butësie, sepse Zoti nuk fal me urdhër, por me përkëdhelje”.
Gjatë gjithë viteve të papnisë së tij, pasardhësi i 266-të i Pjetrit tregoi fytyrën e një Kishe të afërm, të aftë për të dëshmuar butësi dhe dhembshuri, për t’i mirëpritur dhe për t’i përqafuar të gjithë, edhe me çmimin e rrezikut e pa u shqetësuar për reagimet e mendimtarëve të drejtë. "Preferoj një kishë të mavijosur, të plagosur dhe të pistë, sepse ka dalë rrugash" - shkroi Françesku në "Evangelii Gaudium", harta e papnisë së tij, "në vend të një kishe që është e sëmurë nga mbyllja dhe nga komoditeti, për t'u kapur pas sigurive të veta". Një Kishë që nuk beson në aftësitë njerëzore, në protagonizmin e influencuesve që vlerësojnë vetëm veten dhe strategjitë e marketingut fetar, por që shndërrohet në transparente për ta bërë të njohur fytyrën e mëshirshme të Atij që e themeloi dhe e mbajti gjallë, pavarësisht nga gjithçka, për dy mijë vjet.
Është ajo fytyrë dhe ai përqafim që shumëkush e ka njohur tek Ipeshkvi i vjetër i Romës, i ardhur nga Argjentina, i cili e nisi papninë e tij duke shkuar për t'u lutur për emigrantët, që vdiqën në det në Lampeduza - dhe e përfundoi i palëvizur në një karrige me rrota, duke e shkrirë veten deri në çastin e fundit për t’i dëshmuar botës përqafimin mëshirplotë të një Zoti të afërt e besnik në dashurinë e tij për të gjitha krijesat.