Papa: shpresa dhuron në jetën e njeriut një dritare të Amshimit
R.SH. / Vatikan
Po botojmë hyrjen e shkruar nga Papa për librin e Don Tommaso Giannuzzi-t, titulluar "Profetët e shpresës: Don Tonino Bello e Papa Françesku". Në tekstin e botuar nga Àncora Editrice, meshtari salentin frymëzohet nga fjalët e Papës argjentinas dhe të ipeshkvit të Molfetta-s, në përpjekjen për t'i dhënë fytyrë virtytit të shpresës, gurrë e pashterrshme në zemrën e njerëzimit.
Papa Françesku
Ndërmjet shumë pyetjeve që i ka bërë vetes njeriu gjatë gjithë historisë, njëra më shumë se të gjitha ka gjetur gjithnjë përgjigje të pasigurt, por që na lejon të përballemi me ngjarjen nga e cila lind pyetja primordiale, ajo e jetës pas vdekjes. Çfarë do të ndodhë me njeriun pas vdekjes? Po me mua? Të gjithë jemi të vetëdijshëm se askush nuk i shpëton misterit të vdekjes dhe se pyetjet e shumta që lindin nga ky fund nuk mund të mos e vënë në dyshim atë virtyt që, më shumë se të tjerët, i lejon çdo burri dhe gruaje të shikojë përtej kufijve njerëzor: shpresën! Sepse shpresa është jetë, është të jetosh, t’i japësh kuptim shtegtimit; të gjesh arsye për të ecur përpara duke motivuar ndjenjën e qenies sonë, të së tashmes sonë, të pranisë sonë këtu e tani. Katekizmi i Kishës Katolike na kujton se virtyti teologjik i shpresës e ka themelin në fjalën e Jezusit, duke pohuar se:
Shpresa e krishterë është virtyti teologal për të cilin dëshirojmë mbretërinë e qiejve dhe jetën e pasosur si lumturinë tonë, duke e rivendosur besimin tonë në premtimet e Krishtit dhe duke u mbështetur jo në forcën tonë, por në ndihmën e hirit të Shpirtit Shenjt (1); për më tepër, i përgjigjet dëshirës për lumturi, të cilën Zoti e ka vënë në zemrën e çdo njeriu; merr përsipër pritjet që frymëzojnë aktivitetet e burrave; i pastron, për t'i renditur në mbretërinë e qiejve; i mbron nga çkurajimi; i mbështet në të gjitha çastet e braktisjes; ua zgjeron zemrën, në pritje të lumturisë së amshuar (2).
Shpresa dhuron në jetën e njeriut një dritare mbi Amshimin! Jemi të vetëdijshëm se pyetja për cakun e udhëtimit të krishterë mund të gjejë përgjigje negative, për shkak të flukseve të shumta të gabuara që vijnë nga bota; për më tepër, përballë frikës së të menduarit se nuk mund të ketë asnjë pas në fund të udhëtimit, është e mundur që njerëzimi të bjerë në dëshpërim. Nëse mungon virtyti i shpresës, shemben edhe virtytet e tjera që mbështeten në të. Sot shpeshherë kjo shtyllë e jetës së fesë ironizohet dhe keqkuptohet deri në atë masë, sa në temë dominon fjala e popullit “kush jeton me shpresë, vdes i dëshpëruar”. Ekziston rreziku, gjithnjë e më shumë në pritë, të mendosh se shpresa mund të jetë:
një lloj dollapi dëshirash të dështuara, [...]. Ndërsa duhet t’i bëjmë njerëzit të kuptojnë se shpresa është një i afërm i ngushtë i realizmit. Është tensioni i atij që, pasi është nisur për rrugë, ka përshkuar një pjesë të mirë të saj dhe i drejton hapat me dashuri dhe dridhje, drejt cakut ende të pa arritur. Është angazhim i fortë që, me pak fjalë, nuk ka të bëjë fare me ikjen (3).
Megjithatë, duhet pasur mirë parasysh se shpresa nuk është dhuratë që vjen vetëm nga merita njerëzore, por hir që buron nga dëshira e lindur për të qenë të lum. Nëpërmjet Krishtit të vdekur e të ngjallur, ky hir, me fuqinë e Shpirtit Shenjt, shartohet në zemrën e çdo burri dhe gruaje: “kjo dëshirë është me zanafillë hyjnore; Zoti e vuri atë në zemrën e njeriut për ta tërhequr atë nga vetja, sepse vetëm Ai mund ta përkryej" (4). Shkruaj në Bulën për Hapjen e Jubileut të 2025:
Të gjithë shpresojnë. Në zemrën e çdo njeriu është shpresa si dëshirë dhe pritje e së mirës, edhe pa e ditur se çfarë do të sjellë e nesërmja. Megjithatë, paparashikueshmëria e së ardhmes ndonjëherë krijon ndjenja të kundërta: nga besimi në frikë, nga qetësia në dëshpërim, nga siguria në dyshim. Shpesh takojmë njerëz të dëshpëruar, të cilët e shohin të ardhmen me skepticizëm dhe pesimizëm, sikur asgjë nuk mund t'u ofronte atyre lumturi (5).
Duke u frymëzuar nga reflektimet e Don Tonino Bello-s dhe nga fjalët e katekizimet e mia mbi virtytin e shpresës, Don Tommaso Giannuzzi u përpoq të ndalet në disa aspekte, të cilat, sipas nesh, e ftojnë lexuesin të mahnitet nga forca që gjen në Krishtin e Ngjallur fillimin e kulmin e saj. Përmes analizës së disa shkrimeve të Imzot Bello-s e sidomos përmes katekizmit mbi këtë temë mbajtur në audiencën e së mërkurës në vitin 2017, autori i tekstit përpiqet t'i japë një fytyrë këtij burimi që gufon në zemrën e njerëzimit. Kjo ftesë, më pas, bëhet angazhim për të ndihmuar këtë "vogëlushe" të rritet brenda nesh, siç i pëlqente imzot Bellos ta quante këtë virtyt të madh, duke i bërë të tijat fjalët dhe mendimet e Poetit dhe shkrimtarit të mirënjohur Charles Péguy:
Cili duhet të jetë hiri im dhe forca e hirit tim, që kjo shpresë e vogël, e lëkundur nga fryma e mëkatit, që dridhet nga çdo erë, e shqetësuar nga frymëmarrja më e vogël, të jetë kaq e pandryshueshme, kaq besnike, kaq e drejtë, kaq e pastër; e edhe e pathyeshme, e pavdekshme dhe e pamundur për t'u shuar [...]. Ajo që më mahnit, thotë Zoti, është shpresa. Nuk mund ta besoj. Kjo shpresë e vogël që duket si asgjë. Kjo fëmijë shpresë voglushe, e pavdekshme (6).
Shënime
(1) Katekizmi i Kishës Katolike, Libreria Editrice Vaticana, Qyteti i Vatikanit 1992, n. 1817 (tani e tutje: KKK).
(2) Po aty, n. 1818
(3) A. Bello, Shpërthimet e borive dhe kumbimi i ziles, në Scritti 3, Ed. La Nuova Mezzina, Molfetta (BA) 2014, f. 231. Veprat e imz. Bello janë mbledhur në gjashtë vëllime të botuara nga shtëpia botuese La Nuova Mezzina. Punimet do t'i citojmë në të gjithë tekstin duke iu referuar vëllimit në të cilin gjenden me titullin Shkrimet 1, 2 etj. [Shënim i autorit].
(5) Francis, Spes non confundit, Bull of Indiction of Ordinary Jubilee of the Year 2025, 9 maj 2024, n. 1.
(6) C. Péguy, Misteret, Jaca Book, Milano 1997, fq. 164-165.