Kërko

Papa, të rinjve, në një video të papublikuar: mësoni të dëgjoni, kjo e ndihmon paqen

Video e regjistruar në fillim të janarit, me të cilin Papa u drejtohet të rinjve, që marrin pjesë në nismën e Laboratorëve të Dëgjimit: “Mos i harroni gjyshërit, ata na mësojnë shumë”

R.SH. - Vatikan

“Të dashur djem dhe vajza, një nga gjërat më të rëndësishme në jetë është të dëgjoni, të mësoni si të dëgjoni. Kur një person të flet, prit derisa të mbarojë për ta kuptuar mirë dhe pastaj, nëse ta ndien zemra, thuaj diçka. Por gjëja e rëndësishme është të dëgjoni”.

Kjo është ftesa e Papës Françesku drejtuar të rinjve, në një video të regjistruar më 8 janar nga celulari e një personi, që e takoi Atin e Shenjtë në Shtëpinë e Shën Martës. Mesazhi – i publikuar në faqen e internetit të revistës së përjavshme “Oggi” – u drejtohej të rinjve të Laboratorëve të Dëgjimit, nismë e vullnetarit të dëgjimit Luca Drusian, ku marrin pjesë të rinj dhe të rritur, që u japin mundësinë shumë njerëzve të përjetojnë bukurinë e dëgjimit nga të tjerët, të dëgjimit të vetvetes dhe të dëgjimit të të tjerëve.

Papa, i cili duket me veshje joformale në video, e përsërit këtë koncept: “Shikojini me kujdes njerëzit, njerëzit nuk dëgjojnë. Në gjysmë të një shpjegimi, të përgjigjen e kjo nuk e ndihmon paqen. Dëgjoni, dëgjoni shumë”, vëren ai në video. Së fundi, këshilla e pashmangshme për të mos harruar gjyshërit: “Gjyshërit na mësojnë kaq shumë”.

Fjalë, që i përshtaten më së miri ditës së sotme, e cila shënon përfundimin e Jubileut të Adoleshentëve në Romë.

27 prill 2025, 17:02