Riti i mbylljes së arkivolit të Papës Françesku, më 25 prill
R.SH. – Vatikan
Do të kremtohet të premten, më 25 prill, në orën 20.00, në Bazilikën e Shën Pjetrit, riti i mbylljes së arkivolit të Papës Françesku, i cili u mbart sot nga Shtëpia e Shën Martës dhe u vendos para altarit qendror, ku besimtarët e gjithë botës mund të shkojnë për t’i bërë homazhe, duke kaluar më parë nga Porta Shenjte e hapur për Jubileun e shpresës. Riti - siç parashikohet në Ordo Exsequiarum Romani Pontificis (nn. 66-81) - do të kryesohet nga Kamerlengu i Kishës së Shenjtë Romake, kardinali Kevin Joseph Farrell.
Siç është njoftuar nga Zyra e Kremtimeve Liturgjike Papnore, do të marrin pjesë kardinajtë Giovanni Battista Re, Dekan i Kolegjit Kardinalor; Roger Michael Mahony, kardinali Urdhrit të presbiterëve; Dominique Mamberti, kardinal protodiakon dhe Mauro Gambetti, kryeprift i Bazilikës Papnore të Shën Pjetrit.
Të pranishëm, edhe kardinajtë Pietro Parolin, ish-Sekretar i Shtetit të Vatikanit (kujtojmë se të gjitha detyrat në Sekretarinë e Shtetit e në kryesitë e Dikastereve të Vatikanit bien pas vdekjes së Papës), Baldassare Reina, Vikar i Përgjithshëm për Dioqezën e Romës, Konrad Krajeëski, Lëmoshtar i Shenjtërisë së Tij; si edhe imzot Edgar Peña Parra, Zëvendës i Sekretarisë së Shtetit, imzot Ilson de Jesus Montanari, Zëvendës i Kamerlengut të Kishës së Shenjtë Romake, imzot Leonardo Sapienza, regjent i Shtëpisë Papnore, kanonikët e Kapitullit të Vatikanit, pendestarët minorë vatikanas të zakonshëm, sekretarët e Atit të Shenjtë dhe njerëz të tjerë të pranuar nga mjeshtri i Kremtimeve Liturgjike Papnore, imzot Diego Ravelli. Të gjithë do të takohen në orën 19.30 në Altarin mbi varrin e Shën Pjetrit.