Lutje, lot e duartrokitje: trupi i Françeskut mbartet në Shën Pjetër
R.SH. - Vatikan
Nga kapela e Shtëpisë së Shën Martës, ku banonte, trupi i Papës Françesku, që ndërroi jetë të Hënën e Pashkëve, u mbart në Bazilikën e Shën Pjetrit. Aty do “ta takojnë për herë të fundit” besimtarët, përpara Meshës së Dritës, që do të kremtohet të shtunën. Fillimisht lutja e hyrjes në kapelë, më pas procesioni me kardinajtë, patriarkët, kardinalin Kamerleng Kevin Farrell dhe mjeshtrin e kremtimeve papnore, Imzot Diego Ravelli.
Udha ishte pak a shumë e njëjtë, si katër ditë më parë. Santa Marta, Via della Sacrestia, Piazza dei Protomartiri Romani, më pas Arco delle Campane, Piazza San Pietro, radhët para Bazilikës. Të dielën e kaluar, të Dielën e Pashkëve, papamobili kalonte, me Françeskun që përpiqej të shtrinte krahët, rënduar nga terapitë, për të përkëdhelur fëmijët, për të përshëndetur dhe për bekuar. Sot është një arkivol druri që lëviz përbri 20 mijë njerëzve të rreshtuar në një shesh, ndriçuar nga dielli, më në fund pranveror, të përlotur, me gishtat që mbulojnë gojën, Rruzaren në njërën dorë e smartphon-in në tjetrën për të përjetësuar çastin.
Mbi supet e mbartësve papnorë, arkivoli i Françeskut përshkoi përgjatë Udhën e Sakrestisë, duke kaluar përmes Sheshit të Protomartirëve Romakë, për të dalë në Sheshin e Shën Pjetrit përmes Harkut të Këmbanave. Njëzet mijë njerëz e përshëndetën kalimin e arkivolit të Atit Shenjt Bergoglio me duartrokitje të gjata, derisa procesioni arriti brenda Bazilikës e arkivoli i Papës u vendos në tokë, para altarit të Rrëfimit.
Fjalët e kardinalit Farrell
“Vëllezër dhe motra të dashur, me emocion të madh shoqërojmë trupin e vdekshëm të Papës Françesku në Bazilikën e Vatikanit, ku shpesh ushtroi shërbesën e tij si ipeshkëv i Kishës së Romës dhe Bari i Kishës universale” - tha Farrell në latinisht në mikrofon. “Ndërsa largohemi nga kjo shtëpi, ta falënderojmë Zotin për dhuratat e panumërta që, nëpërmjet shërbëtorit të tij, Papës Françesku, i a dhuroi popullit të krishterë dhe t'i lutemi atij, që është i mëshirshëm dhe dashamirës, t'i dhurojë një banesë të përjetshme në mbretërinë e qiejve dhe t'i japë ngushëllimin e shpresës së përtejme familjes papnore, popullit të tij që jeton në Romë, mbarë besimtarëve të shpërndarë nëpër botë".
Vargu i gjatë i besimtarëve
Ndërkaq jashtë bazilikës, dyert e së cilës u hapen për publikun në orën 11:00, rreshtat e besimtarëve zgjatën prej orësh. Grupet e para presin pas portave duke lexuar Misteret e lutjes së Rruzares, e vrapojnë sapo marrin miratimin nga xhandarët dhe vullnetarët. Nxjerrin smartphonet sapo arrijnë pengesën dhe ndalojnë për disa çaste për të parë Papën, ndërsa bëjnë shenjën e Kryqit. Radha arrin deri në Via della Conciliazione, ku madje është vështirë të kalohet.
Për t'u dhënë besimtarëve mundësin të përshëndesin Papën dhe të luten për të, Bazilika e Vatikanit sot do të jetë e hapur deri në mesnatë; e njëjta gjë do të ndodhë nesër, pas hapjes, në orën 7. Të premten, në vend të kësaj lëvizjeje, riti i mbylljes së arkivolit do të kremtohet në orën 20.00. Më në fund, të shtunën, 26 prill, në orën 10:00, në Sheshin e Shën Pjetrit, lamtumira e fundit për Papën "ardhur nga fundi i botës". Nesër Bazilika e Vatikanit do të hapet në orën 7 të mëngjesit, e do të mbyllet sërisht në mesnatë. Të premten, një ditë para varrimit, do të jetë e hapur nga ora 07:00 deri në orën 19:00.
Dhimbje, por edhe mirënjohje për papninë e Françeskut në fjalët e qindra mijëra shtegtarëve e besimtarëve që vazhdojnë të shprehin nderimet dhe lutjet për Papën e ndjerë.