Varri i Papës do të jetë në mermer, "gur i Liguries, tokë e gjyshërve të tij"
R.SH. – Vatikan
Ardeza e Lavagna-s, guri i zi si boja e kujtimeve, vjen nga guroret mbi gjirin e Tigullio-s, në Ligurien lindore, ndërmjet Sestri Levante dhe Val Fontanabuona. I fortë, i qëndrueshëm, por në gjendje të marrë formë në duart e gurgdhëndësve ekspertë. Ashtu si shpirti i ligurianëve: i ashpër nga jashtë, por gati për t'iu dorëzuar emocioneve. E vërtet, zemrat e tyre u mallëngjyen nga njoftimi i kryepriftit të bazilikës së Zojës së Madhe në Romë, kardinalit Rolandas Makrickas, në një intervistë në emisionin "Porta a Porta" në Rai 1: Papa Françesku ka shprehur dëshirën të pushojë në një varr të ndërtuar me "gurin e Liguries, që është toka e gjyshërve të tij". Me ardezë pra, gurin e shtëpisë.
"Ia dinim origjinën", rrëfen Enrica Sommariva, nënkryetare e bashkisë së Cogorno-s, një fshat pezull ndërmjet detit dhe kodrës. Një komunë me pak më shumë se 5000 banorë, nga ku fillon një histori e lashtë, që e bashkon Papën me dëshirën e tij të fundit. Në fakt, pikërisht në Tigullio, u lind Vincenzo Girolamo Sivori, më 20 janar 1850. U nis për në Buenos Ajres, ku vdiq i ri, më 1882, por pati kohë të shihte edhe të mbesën e tij, Regina Maria Sivori, që u bë nëna e Bergoglio-s. Prej tij ka mbetur një pllakë – natyrisht, në ardezë – e vendosur në një shtëpi tipike me ngjyrë të verdhë të haptë, pranë kishës famullitare të Shën Lorencit, pajtor i Cogorno-s.
Bën përshtypje fakti se Papa i ka fshehur shpesh lidhjet e tij me Ligurien. “Patëm thënë: ‘Durim, do t’i çojmë qoftë edhe një grimcë nga toka jonë’. E, pastaj, ky lajm…”. Zëri i zonjës Sommariva dridhet e ajo vetë mallëngjehet, ndërsa kujton origjinën e Papës së ndjerë. Zbulimi i saj ishte prika e martesës ndërmjet Vincenzo Sivori-t dhe Caterina Sturla-s, stërgjyshërit e Papës. Një telefonatë nga Buenos Ajresi, trungu familjar i dërguar me email dhe surpriza: Angela Sivori, që jeton edhe sot në Cogorno, zbuloi se ishte kushërira e Papës. Këtë histori e tregon vajza e saj, Cristina Cogorno: "Na bëri një dhuratë të madhe. Një surprizë të fundit. Na tha se donte të pushonte në gurin e gjyshërve të tij. Është gjë e mrekullueshme".
Motivacioni i Papës mbetet intim, i heshtur. Gjatë papnisë së tij, kurrë nuk e pati shprehur haptazi këtë lidhje me Ligurien. Vizitat tek paraardhësit u bënë gjithnjë në Piemonte. Por dy çaste mund të kenë lënë gjurmë në të. I pari, në Gjenovë, në maj 2017. “Nëna ishte 87 vjeçe”, kujton Cristina. “Deri në momentin e fundit nuk e dinim nëse do ta takonim. Pastaj, tri ditë më parë, na thirrën nga Vatikani. U vumë në rresht, shtatë prej nesh. Dhe na priti si kushëri nga ana tjetër e botës. ‘Më në fund po takoj familjen Sivori!’ na tha”.
Momenti i dytë humbet mes notave të një bande: ishte viti 2015, Shoqata Filarmonike e Sestri Levante-s u ftua të jepte koncert në një audiencë të përgjithshme për përvjetorin e dytë të Papës Françesku. Ndërmjet të pranishmëve ishte edhe presidenti Francesco Gardella. “Përvojë e mrekullueshme, kur na kaloi pranë, na përshëndeti, ende më bëhet mishi kokërr”, kujton ai. Delegacioni, ku bënin pjesë disa autoritete politike lokale, nuk erdhi duarbosh, por solli një basoreliev ardeze, ku shiheshin kisha e Shën Lorencit, një grua bartëse guri dhe një "spachino", siç quhen gurgdhënësit në atë zonë. Papa e mori pa folur, por gjesti la gjurmë. Tani, ajo lidhje e heshtur bëhet e përjetshme. Cogorno, vendlindja e dy papëve - Inoçencit IV dhe Adrianit V – është i lidhur idealisht edhe me Papën Françesku. Kështu, vendi i "tre Papëve", i mbështjellë me aromën e detit dhe me jehonën e gurit, përgatitet të ruajë përgjithmonë një copëz zemre, një grimcë nga rrënjët e Atit të Shenjtë.
E papritur e këndshme, kjo e fundit. Si ato me të cilat Papa Françesku shoqëroi botën deri në fund të rrugëtimit të tij tokësor.