Kërko

“Shtegtar i shpresës, prijës e shok udhe”, Testamenti i Papës Françesku

U publikua Dokumenti që përmban një përmbledhje të shkurtër të papnisë së Jorge Mario Bergoglio-s, i mbyllur në një tub dhe i vendosur në arkivol gjatë ritit të mbylljes në Bazilikën e Shën Pjetrit. Françesku u la të gjithëve një dëshmi të mrekullueshme të njerëzimit, të një jete të shenjtë dhe të atësisë universale.

R.SH. / Vatikan

Me ne shtegtar i shpresës, prijës e shoqërues në udhën drejt cakut të madh tek i cili jemi thirrur, Qiellit, më 21 prill të Vitit të Shenjtë 2025, në orën 7.35 të mëngjesit, ndërsa drita e Pashkëve ndriçonte ditën e dytë të Tetëditëshit, të Hënën e Pashkëve, Bariu i Kishës Françesku kaloi nga kjo botë tek Ati. E gjithë bashkësia e krishterë, veçanërisht të varfërit, lavdëronin Hyjin për dhuratën e shërbimit të tij të bërë me guxim e besnikëri ndaj Ungjillit dhe Nuses mistike të Krishtit.

Françesku ishte Papa 266°. Kujtimi i tij mbetet në zemër të Kishës dhe të mbarë njerëzimit.

Jorge Mario Bergoglio, i zgjedhur Papë më 13 mars 2013, lindi në Buenos Ajres më 17 dhjetor 1936, nga emigrantë piemontezë: babai i tij Mario ishte llogaritar, i punësuar në hekurudha, ndërsa nëna e tij, Regina Sivori, kujdesej për shtëpinë dhe edukimin e pesë fëmijëve.

Pasi u diplomua si teknik kimist, zgjodhi rrugën e meshtarisë, duke hyrë fillimisht në seminarin dioqezan ndërsa, më 11 mars 1958, kaloi në noviciat të Shoqërisë së Jezusit. Studioi shkencat humane në Kili dhe, duke u kthyer në Argjentinë në vitin 1963, u diplomua në filozofi, në kolegjin San Jose’ në San Miguel. Ishte profesor i letërsisë dhe i psikologjisë në kolegjin e ‘Zojës së Papërlyer’ të Santa Fé dhe në atë të ‘Shëlbuesit’ në Buenos Ajres.

Mori shugurimin meshtarak më 13 dhjetor 1969 nga Kryeipeshkvi Ramón José Castellano, ndërsa më 22 prill 1973 bëri kushtet e përhershme të jetës rregulltare ndër jezuitë. Pasi ishte mjeshtër i novicëve në Villa Barilari në San Miguel, profesor në fakultetin e teologjisë, këshilltar në provincën e Shoqërisë së Jezusit dhe rektor i Kolegjit, më 31 korrik 1973 u emërua provincial i jezuitëve të Argjentinës.

Pas vitit 1986 kaloi disa vite në Gjermani për të përfunduar tezën e doktoraturës e, pasi u kthye në Argjentinë, kardinali Antonio Quarracino deshi që ai të ishte bashkëpunëtori i tij i ngushtë. Më 20 maj 1992 Gjon Pali II e emëroi  ipeshkëv titullar të Auca dhe ipeshkëv ndihmës të Buenos Ajresit. Zgjodhi si moto të tij ipeshkvnore Miserando atque eligendo dhe vendosi në stemën e tij kristogramin IHS, simbol i Shoqërisë së Jezusit.

Më 3 qershor 1997, u emërua kryeipeshkëv ndihmës i Buenos Ajresit e, pas vdekjes së kardinalit Quarracino, e pasoi atë, më 28 shkurt 1998, si Kryeipeshkëv, primat i Argjentinës e ipeshkëv edhe për besimtarët e ritit lindor që banonin në vend, si dhe kancelar i madh i Universitetit Katolik. Gjon Pali II e krijoi kardinal në Koncistorin e 21 shkurtit 2001, me titullin e Shën Robert Bellarminit. Në tetor ishte relator ndihmës i përgjithshëm në Asamblenë e dhjetë të Përgjithshme të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve.

Ishte  bari i thjeshtë dhe shumë i dashur në Kryedioqezën e tij, territorin e të cilit e përshkoi anë e mbanë, edhe me metro e me autobusë. Ndërkaq jetonte në një apartament dhe e përgatiste vetë darkën, sepse ndihej si një nga populli.

Nga kardinajtë e mbledhur në Konklav pas dorëheqjes së Benediktit XVI,  u zgjodh Papë më 13 mars 2013 dhe mori emrin Françesku, sepse duke ndjekur shembullin e shenjtit të Asizit, donte të kujdesej para së gjithash për më të varfërit në botë. Nga lozha e bekimeve në Bazilikën e Shën Pjetrit u paraqit me fjalët «Vëllezër dhe motra, mirëmbrëma! E tani, le ta fillojmë këtë udhëtim: Ipeshkvi dhe populli. Këtë rrugë të Kishës së Romës, asaj që i kryeson të gjitha Kishat në dashurinë bamirëse. Rrugë vëllazërimi, dashurie, besimi mes nesh». E, pasi uli kokën, tha: “Ju kërkoj t'i luteni Zotit të më bekojë: lutjen e popullit, duke kërkuar Bekimin për Ipeshkvin e vet. Më 19 mars, Solemniteti i Shën Jozefit, ai filloi zyrtarisht shërbimin e tij Petrin.

Gjithnjë i vëmendshëm ndaj më të fundmëve dhe njerëzve të refuzuar nga shoqëria, Françesku i sapozgjedhur Papë zgjodhi të banonte në Domus Sanctae Marthae, sepse nuk mund të bënte pa kontaktin me njerëzit dhe, që nga e Enjtja e parë e madhe e Pashkëve, deshi ta kremtonte Meshën “in Coena Domini” jashtë Vatikanit, duke shkuar çdo herë në burgje, në qendra pritjeje për personat me aftësi të kufizuara ose nën vartësinë e drogës.

I këshillonte meshtarët të ishin gjithmonë të gatshëm të mbarështojnë sakramentin e mëshirës, të kenë guximin për t’i lënë sakristitë, për të shkuar në kërkimin e deleve të humbura dhe për të mbajtur dyert e Kishës të hapura për të mirëpritur të eturit për t’u takuar me Fytyrën e Zotit Atë.

E ushtroi shërbesën Petrine me përkushtim të palodhur në favor të dialogut me myslimanët dhe përfaqësuesit e feve të tjera, duke i thirrur ndonjëherë në takime të lutjeve dhe duke nënshkruar deklarata të përbashkëta në favor të harmonisë ndërmjet anëtarëve të feve të ndryshme, siç është Dokumenti mbi vëllazërinë njerëzore, i nënshkruar më 4 shkurt 2019 në Abu Dabi me udhëheqësin sunit al-Tayyeb. Dashuria e tij për të fundmit e shoqërisë, të moshuarit dhe të vegjlit e shtyri të fillonte Ditët Botërore të të Varfërve, Gjyshërve dhe Fëmijëve. Themeloi, më pas, edhe të Dielën kushtuar Fjalës së Zotit.

Më shumë se çdo paraardhës, zgjeroi Kolegjin e Kardinajve, duke mbledhur dhjetë Koncistore në të cilat krijoi 163 kardinaj, nga të cilët 133 zgjedhës dhe 30 jozgjedhës, të ardhur nga 73 kombe, nga të cilët 23 nuk kishin pasur kurrë kardinal më parë. Mblodhi 5 Asamble të Sinodit të Ipeshkvijve, 3 sinode të përgjithshme të zakonshme, kushtuar familjes, të rinjve dhe sinodalitetit, një të jashtëzakonshëm për familjen dhe një të veçantë për Rajonin Pan-Amazonian.

Më se njëherë zëri i tij u ngrit në mbrojtje të të pafajshmëve. Ndërsa pandemia Covid-19 përhapej, në mbrëmjen e 27 marsit 2020, deshi të lutej i vetëm në Sheshin e Shën Pjetrit, kolonada e të cilit rroku simbolikisht Romën dhe botën, për njerëzimin e frikësuar dhe të plagosur nga sëmundja e panjohur. Vitet e fundit të papnisë së tij ishin plot me thirrje të shumta për paqe, kundër Luftës III Botërore të pjesshme, që po zhvillohej në vende të ndryshme, veçanërisht në Ukrainë, e dhe në Palestinë, Izrael, Liban dhe Mianmar.

Më 4 korrik 2021, pas shtrimit në spital, që zgjati dhjetë ditë, për operacion në Poliklinikën Agostino Gemelli, Françesku shkoi përsëri në të njëjtin spital më 14 shkurt 2025 për një qëndrim 38-ditor, për shkak të pneumonisë së dy anshme. Pas kthimit në Vatikan i kaloi javët e fundit të jetës në Shtëpinë e Shën Martës, duke iu kushtuar deri në fund, me të njëjtin pasion, shërbesës së tij Petrine, edhe pse ende nuk e kishte marrë ende plotësisht veten . Të dielën e Pashkëve, më 20 prill 2025, për herë të fundit ai u duk në lozhën e Bazilikës së Shën Pjetrit për të dhënë bekimin solemn Urbi et Orbi.    

Mësimi doktrinor i Papës Françesku është shumë i pasur. Dëshmitar i një stili të matur dhe modest, bazuar në hapjen ndaj shpirtit misionar, guximin apostolik dhe mëshirën, i kujdesshëm për të shmangur rrezikun e vetëreferencimit dhe mondanitetit shpirtëror në Kishë, Papa propozoi programin e tij apostolik në nxitjen Evangelii gaudium (24 nëntor 2013).

Ndër dokumentet kryesore kujtojmë 4 Enciklika: Lumen fidei (29 qershor 2013) që trajton temën e besimit në Zotin; Laudato si’ (24 maj 2015) që prek problemin e ekologjisë dhe përgjegjësinë e racës njerëzore në krizën klimatike; Fratelli tutti (3 tetor 2020) mbi vëllazërinë njerëzore dhe miqësinë shoqërore; Dilexit nos (24 tetor 2024) mbi përkushtimin ndaj Zemrës së Shenjtë të Jezusit.

Françesku u la të gjithëve një dëshmi të mrekullueshme të njerëzimit, të një jete të shenjtë dhe të atësisë universale.

 

CORPUS FRANCISCI P.M.

VIXIT ANNOS LXXXVIII, MENSES IV DIES IV.

ECCLESIAE UNIVERSAE PRAEFUIT

ANNOS XII MENSES I DIES VIII

Semper in Christo vivas, Pater Sancte!



25 prill 2025, 22:06