Ghisoni: rekord pjesëmarrjeje në takimin e lëvizjeve kishtare për sinodalitetin
R.SH. – Vatikan
“Të përforcohen lidhjet e miqësisë dhe të nxiten të gjithë të jetojnë me vetëdije thirrjen për të qenë Popull i Zotit në ecje dhe për të funksionuar në mënyrë sinodale”. Linda Ghisoni, zv.sekretare e Dikasterit vatikanas për Laikët, Familjen dhe Jetën, e përmbledh me këto fjalë rëndësinë e takimit vjetor me moderatorët e shoqatave të besimtarëve, të lëvizjeve kishtare dhe të bashkësive të tjera, organizuar për të enjten, 13 qershor, në sallën e Sinodit në Vatikan.
Një model për misionin e Kishës
“Sfida e sinodalitetit për misionin” titullohet asambleja, që do ta ketë kulmin në takimin me Papën Françesku. “Nuk bëhet fjalë për të promovuar më tepër struktura”, shton Ghisoni, e cila kujton mbështetjen e plotë në këshillat e raportit përmbledhës të Sinodit për sinodalitetin. Pikërisht sinodaliteti, nënvizon ajo në një intervistë për Radio Vatikanin – Vatican News, është përmasë gjithnjë e pranishme dhe e rrënjosur thellë në historinë e shoqatave të ndryshme kishtare. “Jemi të bindur se ato përfaqësojnë vërtet një model sinodaliteti për misionin e Kishës”, pohon Ghisoni. “Sinodaliteti – vazhdon ajo – është shpesh përmasë themeltare, që shoqëron të gjitha çastet e jetës së këtyre organizmave: veprimtarinë, apostullimin, lutjen, madje, edhe vetë formën e administrimit”.
Programi
Takimi në Vatikan synon ta vlerësojë këtë përvojë të pasur, duke filluar nga moderatorët, pra, nga figurat përgjegjëse. E, dëshiron ta bëjë këtë edhe përmes mënyrës së zhvillimit, që u zgjodh për vetë takimin. Pas meshës së mëngjesit në Shën Pjetër, audiencës me Papën, përshëndetjet e prefektit, kardinalit Kevin Farrell dhe disa kumtesave kryesore, të gjithë do të kenë mundësinë për t’u shprehur lirisht (siç ka ndodhur edhe në të kaluarën). “Pasdite – pohon Ghisoni – do të kemi mjaft hapësirë për pyetje dhe ndërhyrje të lira nga moderatorët dhe nga delegatët në sallë. Hapësirëpër të folur dhe për të dëgjuar, plotësim i dëshirës së shprehur vitet e fundit nga shumë njerëz, të cilët kanë theksuar nevojën për të diskutuar dhe për të inkurajuar njëri-tjetrin në misionin e tyre”.
Një numër rekord pjesëmarrësish
Dy aspekte të tjera ndihmojnë për të kuptuar vlerën e takimit vjetor. I pari ka të bëjë me nevojën për të pasur parasysh realitetin, pra, përmasën bashkëkohore. “Shoqatat kishtare – thekson Ghisoni – sigurisht që përfaqësojnë një thesar shumë të madh, i cili duhet propozuar dhe ripropozuar me gjuhë, që i përshtaten kontekstit të sotëm. Për këtë arsye, edhe lëvizjet e bashkësitë e reja janë të thirrura të formohen vazhdimisht për një ndikim më të madh në botën e sotme”. Aspekti i fundit ka të bëjë me numrin e pjesëmarrësve. "Një rekord", nënvizon Ghisoni, "marrin pjesë 95 organizata nga e gjithë bota, në krahasim me 117 të njohura nga Selia e Shenjtë, për një numër të përgjithshëm që i kalon 220 vetë, përfshirë 80 përgjegjësit".