Imzot Gallagher:strategjitë ushtarake të mos harrojnë parimin e humanizmit
R. SH. - Vatikan
Me rastin e 76-vjetorit të Pavarësisë së Shtetit të Izraelit, Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, mbajti fjalimin e rastit në selinë e Ambasadës pranë Selisë së Shenjtë, duke kujtuar shkurtimisht marrëdhëniet tridhjetëvjeçare diplomatike ndërmjet dy shteteve e duke përsëritur shpresën se paqja, "aq e nevojshme", mund e duhet të arrihet në Izrael "sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Terrorizmi nuk është zgjidhja e konflikteve
Prelati kujtoi "sulmin e tmerrshëm terrorist të 7 tetorit nga Hamasi dhe milicitë e tjera kundër popullit izraelit", gjatë të cilit "qindra njerëz, duke përfshirë shumë hebrenj, u vranë brutalisht, u përdhunuan dhe u morën barbarisht peng". Shprehu, në vijim, empatinë dhe dhimbjen për atë që ndodhi dhe, duke cituar fjalët e Papës Françesku drejtuar Trupit Diplomatik janarin e kaluar, përsëriti: "Terrorizmi nuk është zgjidhje e asnjë konflikti; është akt, që e përbuz plotësisht e pa shkak jetën njerëzore, kështu që asnjë arsye, aq më pak politika apo feja, mund ta përligjin”.
Prelati kujtoi edhe të gjitha përpjekjet që bëri e vijon të bëjë Papa për të kërkuar lirimin e menjëhershëm të personave të rrëmbyer e për të takuar familjet e viktimave, pa harruar edhe letrën drejtuar bashkësive hebreje në Izrael, e cila – pohoi imzot Gallagher, "është unike dhe e pashoqe".
Mos e braktisni parimin e humanizmit
Në dritën e asaj që Gallagher e quan "përgjigje ushtarake izraelite në Gaza" - e cila shkaktoi sulme të tjera ushtarake kundër Izraelit nga aktorë të ndryshëm joshtetërorë - nga Libani, Jemeni dhe gjetiu - diplomati i Vatikanit vëren se Selia e Shenjtë, megjithëse duhet t'u përmbahet parimeve të neutralitetit, nuk mund të mbetet "moralisht indiferente" në konflikte. Vatikani "nuk ia mbyll dyert askujt dhe përpiqet të kuptojë motivet dhe perspektivat e të gjithëve", vazhdoi Imzot Gallagher, por, thekson "parimi themelor i njerëzimit nuk duhet të braktiset asnjëherë nga strategjitë ushtarake, përndryshe – saktësoi - parimet, domosdoshmëria dhe proporcionaliteti komprometohen në mënyrë të pashmangshme”.
Të denoncohen aktet e ekstremizmit dhe antisemitizmit hebre
Në fjalimin e tij, Imzot Gallagher kujtoi edhe përpjekjet e vazhdueshme për të përballuar shqetësimet e fundit të Kishës Katolike në Izrael, që nisin nga "qëndrimi gjithnjë e më agresiv i disa autoriteteve administrative, veçanërisht atyre komunale, për të arritur te nevoja e bashkëpunimit më të madh në raportimin dhe parandalimin e akteve kundër të krishterëve nga ekstremistët hebrenj”. Shpresohet që bashkësitë katolike në Izrael të mund të vazhdojnë të kontribuojnë - si pjesë e shoqërisë izraelite - në fushat e arsimit dhe të mirëqenies, si dhe në promovimin e dialogut ndërfetar dhe ekumenik. “Në të njëjtën kohë - shton prelati - shpresoj që Vendet e Shenjta të jenë sa më shpejt gati për të mirëpritur shtegtarë nga e gjithë bota”.
Përballë plagës së antisemitizmit - siç e quajti Papa Françesku - në rritje muajt e fundit, Gallagher këmbëngul tek nevoja për ta çrrënjosur atë, së bashku me të gjitha format e tij.
Të arrihet paqja në Izrael sa më shpejt të jetë e mundur
Në përfundim, Imzot Gallagher kujtoi Bulën, që shpall Jubileun 2025, në të cilën Papa kërkon qartë që ne të zbatojmë veprime konkrete për sigurimin e paqes. Në prag të çastit historik të lutjes drejtuar Zotit dhjetë vjet më parë, që Papa do ta përkujtojë sot, 7 qershor, në Kopshtet e Vatikanit, prelati i fton të gjithë për shpresë:
"Dialogu dhe mirëkuptimi janë të mundshëm. Ndjehet nevoja e madhe për paqe e unë shpresoj se do të arrijë në Izrael sa më shpejt të jetë e mundur, sepse gjithçka është më e mirë më shpejt, sesa më vonë!”.