Kërko

2025.04.28 5° Congregazione Cardinali

Kush janë 135 kardinajtë e thirrur për të zgjedhur Papën e 267-të

Vijnë nga 94 vende të ndryshme kardinajtë, që do të mblidhen në Konklav nga 7 maji. Më të shumtët, 53 vetë, janë evropianë. Më i riu është australiani Mikola Bychok, 45 vjeç, më i vjetri është spanjolli Carlos Osoro Sierra, 79 vjeç. Për herë të parë, 12 kombe me kardinaj votues autoktonë përfaqësohen në Kapelën Sikstine, ndër të cilat Haiti, Kepi i Gjelbër, Papua Guinea e Re, Suedia, Luksemburgu dhe Sudani i Jugut

R.SH. - Vatikan

Kardinajtë “përbëjnë një kolegj të veçantë, detyra e të cilit është të sigurojë zgjedhjen e Papës Romak”: kështu e përcakton kanuni 349 i Kodit të së Drejtës Kanonike Kolegjin e Kardinajve, duke specifikuar se kardinajtë “ndihmojnë” Papën “si duke vepruar kolegjialisht, kur thirren së bashku për të trajtuar çështje me rëndësi të madhe, ashtu edhe si individë, domethënë, në detyrat e ndryshme që kryejnë, duke vënë në dispozicion të tij veprimtarinë e tyre në mbarështimin e Kishës universale, sidomos në administrimin e përditshëm”. Kushtetuta Apostolike Universi Dominici Gregis “lidhur me Selinë Apostolike Vakante dhe zgjedhjen e Papës Romak” përcakton edhe se kardinajtë, që zgjedhin pasardhësin e Shën Pjetrit janë ata që, para ditës së vdekjes së Papës, “ose ditës në të cilën Selia Apostolike bëhet vakante”, nuk kanë mbushur moshën 80 vjeç; për këtë arsye, bëhet një dallim ndërmjet kardinajve me të drejtë vote e atyre jo-zgjedhës. Aktualisht, Kolegji i Kardinajve përbëhet nga 252 prelatë, nga të cilët 135 kanë të drejtë vote dhe 117 janë jo-zgjedhës.

Shpërndarja gjeografike

Në Kolegjin Kardinalor përfaqësohen gjithsej 94 vende; 135 zgjedhësit që do të hyjnë në Konklav vijnë nga 71 shtete të ndryshme. Prej tyre, 17 vende janë në Afrikë, 15 në Amerikë, 17 në Azi, 18 në Evropë dhe 4 në Oqeani. 12 kombe, për herë të parë, kanë kardinaj vendas me të drejtë vote, si: kardinali Chibly Langlois nga Haiti, Arlindo Furtado Gomes nga Kepi i Gjelbër, Dieudonné Nzapalainga nga Republika Qendrore Afrikane, John Ribat nga Papua Guinea e Re, Sebastian Francis nga Malajzia, Anders Arborelius nga Suedia, Jean-Claude Hollerich nga Luksemburgu, Virgilio do Carmo da Silva nga Timori Lindor, William Seng Chye Goh nga Singapori, Adalberto Martínez Flores nga Paraguai, Stephen Ameyu Martin Mulla nga Sudani i Jugut dhe Ladislav Nemet nga Serbia. Nga 135 kardinajtë zgjedhës, 53 janë evropianë, 37 amerikanë (16 nga Amerika e Veriut, 4 nga Amerika Qendrore, 17 nga Amerika e Jugut), 23 aziatikë, 18 afrikanë dhe 4 nga Oqeania.

Kardinajtë me të drejtë vote, krijuar nga tre papët e fundit

Kardinali më i ri me të drejtë vote është australiani Mikola Bychok, 45 vjeç, ndërsa më i vjetri është spanjolli Carlos Osoro Sierra, 79 vjeç. Më të shumtët janë në moshën shtatëdhjetë e tetë vjeç. Në Konklav do të marrin pjesë 5 kardinaj të krijuar nga Papa shenjt Gjon Pali II, 22 kardinaj zgjedhës janë krijuar nga Papa Benedikti XVI, ndërsa 108 të tjerë nga Françesku.

Kardinajtë rregulltarë

Ndër ata me të drejtë vote, 33 janë kardinaj nga 18 familje rregulltare; numri më i lartë është ai i salezianëve, 5 (Bo, Do Carmo da Silva, Fernández Artime, López Romero, Sturla), 4 anëtarë të tjerë janë të Urdhrit të Fretërve Minorë (Cabrera Herrera, Pizzaballa, Spengler dhe Steiner) dhe 4 nga jezuitët (Choë Sau-yan, Czerny, Höllerich dhe Rossi), ndërsa françeskanët konventualë janë 3 (Bustillo, Gambetti dhe Mathieu). Në Kapelën Sikstine, Papa i 267-të i Kishës Katolike Romake do të zgjidhet edhe nga dy redemptoristë (Bychok dhe Tobin), dy etër verbitë (Kikuchu dhe Nemet), një lazarist (Sourafiel), një klaretian (Bokalic Iglic), një skalabrinian (Baggio), një spiritan (Nzapalainga), nga misionari i Zojës Ngushëlluese Marengo, nga Lacroix i Institutit shekullar Piu X, nga misionari i Zemrës së Krishtit Ribat, nga çisterçensi Tempesta, nga karmelitani i zbathur Arborelius, nga kapuçini Ambongo Besungu dhe nga augustiniani Prevost.

28 prill 2025, 17:20