Kërko

2025.04.25 Omaggio dei fedeli alla Salma di Papa Francesco 4°parte

Bazilika e Shën Pjetrit: Mesha kushtuar Papës Françesku në Altarin e Katedrës, para funeralit

Në orën 16:00, Imzot Claudio Giuliodori, Ndihmës i Përgjithshëm Kishtar i Veprimit Katolik Italian, kryesoi Meshën në emër të Papës Françesku, nga Altari i Katedrës, në Bazilikën e Shën Pjetrit. E pranishme, Presidenca Kombëtare e Veprimit Katolik Italian. Lutja iu drejtua Zotit që ta shpërblejë Papën Françesku me pasardhësin e ri të Pjetrit, që Zoti do të dëshirojë të na e japë

R.SH. - Vatikan

Ishte një Meshë e jashtëzakonshme. Me pjesëmarrje nga të gjitha anët e botës, ardhur në Romë për të nderuar një të vdekur të pamort. Predikimi u mbajt nga Shkëlqësia e Tij, Imzot Claudio Giuliodori Ndihmës i Përgjithshëm Kishtar i Veprimit Katolik Italian.

Nisi me refrenin e psalmit “guri i hedhur poshtë nga ndërtuesit është bërë guri i qoshes”. Këto fjalë të para të homelisë, vijuan me fjalët e Shën Pjetrit, që e përdor këtë shprehje nga  Besëlidhja e Vjetër për të shpjeguar figurën dhe veprën e Jezusit para autoriteteve fetare, krerëve të popullit dhe pleqve, të cilët e pyetën për shërimin e një të sëmuri dhe për predikimin me të cilin ai shpalli se Zoti Jezus, i dënuar dhe i mbytur prej tyre, ishte ringjallur.

Mund të ndalemi - vijoi predikatari - një çast për të reflektuar mbi këtë deklaratë: “Ky Jezus, guri që ju, ndërtuesit, e hodhët poshtë, u bë guri i qoshes”. Ta kujtojmë, duke menduar figurën e Papës Françesku, ndërsa i japim lamtumirën dhe përgatitemi për funeralin që do të mbahet nesër – kujtoi predikatari - i cili vijoi të fliste për Magjisterin e tij të mprehtë dhe të pasur, e për Hyjin e bërë njeri, i cili nuk përdori armët e pushtetit, të sundimit dhe të shtypjes për të na shpëtuar.

Jezusi na mësoi rrugën e mëshirës

Në vend të kësaj, Jezusi na mësoi rrugën e mëshirës - theksoi më pas - ​​të shërbimit dhe të bamirësisë, që ushqehet nga dialogu, nga falja pa kushte dhe arrin deri te dashuria e armiqve. Një Mesi i padëshirueshëm, jashtë çdo logjike botërore, i cili për këtë arsye u refuzua dhe trajtua “si gur pengese e  shkëmb skandali” (Is 8:14f; 1Pj 2:4-8). Por pikërisht nëpërmjet tij, Samaritanit të Mirë, bariut të dhembshur, i cili na kërkoi ta imitonim në larjen e këmbëve dhe të kujtonim dhuratën e jetës së Tij në Eukaristi, kuptuam se Kisha është ndërtuar mbi “gurin e flakur tutje” dhe se nuk ka arkitekturë tjetër aq të fortë dhe të sigurt për ndërtimin e Kishës dhe përhapjen e qytetërimit të dashurisë.

Gur themeli për përtëritjen e Kishës

Së dyti, duke u rikthyer në Papninë e tij – vijoi prediktari - mund të shohim se si ai vetë nisi ta ndiqte Zotin, duke u bërë, me ndjeshmërinë e tij dhe përmes gjesteve profetike, ndonjëherë edhe të pakëndshme, “gur i flakur” për t’u bërë “gur themeli” me qëllim që të nxiste një ripërtëritje të thellë të Kishës.

Elementet themelore të rindërtimit

Elementet themelore të këtij “rindërtimi” me një frymëzim të fortë konciliar do të mbeten sigurisht: vizioni i tij për “Kishën në dalje” dhe “spitalin fushor” të aftë për të marrë udhë të guximshme misionare dhe për të shkelur në territore të reja dhe të padepërtueshme socio-kulturore! Vendosmëria e tij për ta udhëhequr Kishën në kufijtë më të përparuar të sfidave epokale me të cilat po përballet bota – duke i rikthyer periferitë në qendër! Zhvillimi i qëndrueshëm, vëllazëria njerëzore, paqja dhe harmonia ndërmjet popujve – duke u propozuar pa u lodhur të gjithëve fjalë dhe veprime vërtet ungjillore…

“E dëshira e tij për të ripërtërirë fytyrën e Kishës duke e bërë atë më transparente, më të përshtatshme për të varfrit dhe për të përjashtuarit për të gjithë ata që janë “të flakur tutje” nga bota, ndërsa, sipas mësimit dhe dëshmisë së Zotit, ata janë paradigma dhe thesari i jetës së Kishës”.

"Gurthemeli" i vërtetë e i aftë për të hyrë në zemrat e njerëzve  

Së fundmi - vijoi predikatari - kujtojmë elementin e tretë. Pikërisht këto ditë po e shohim drejtpërdrejt se si papnia e tij, duke luftuar me forcë “kulturën e mbeturinave”, ishte në gjendje të fillojë procese të rëndësishme, frytet e të cilave do të shihen me kalimin e kohës. Dëshmia, njëkohësisht e pakëndshme dhe e guximshme, e Papës Françesku, edhe në dritën e ndikimit të madh mediatik, duket shumë më e mprehtë, domethënë një "gurthemeli" i vërtetë e i aftë për të hyrë në zemrat e njerëzve, veçanërisht të më të thjeshtëve dhe më të përulurve, ashtu edhe në tronditjen e ndërgjegjes së të fuqishmëve, të cilët po mblidhen në numër të madh në funeral.

Ndoshta ata nuk i kuptuan thirrjet dhe ftesat e përsëritura për të kultivuar paqen dhe për t'i kushtuar vëmendje më të voglit, si paradigmë politike, por ata sigurisht që e vlerësuan profilin e lartë shpirtëror dhe rigorozitetin moral.

Fara e hedhur në tokë nuk mund të mos prodhojë fryte

Kush e di – kujtoi në përfundim të homelisë predikatari -  ndoshta kjo farë e hedhur në tokë si gur i flakur tutje mund të prodhojë frytin e shpresuar dhe të bëhet vërtet “gurthemeli” në skenarët politikë dhe kulturorë të sotëm.

“Duke e kujtuar Papën Françesku me dashuri të madhe dhe mirënjohje të pafundme, nxitemi fuqimisht që, me guxim dhe si “gurë të gjallë”, të vazhdojmë mësimin e tij duke forcuar besimin tonë në të Ngjallurin – ishte fetsa e predikatarit në këtë ditë kaq tragjike e njëkohësisht plot me besim në të ardhmen. Zoti vazhdon të jetë ndërmjet nesh dhe të na ofrojë bukën e thyer,  e na siguron se duke hedhur rrjetat mbi Fjalën e Tij, peshkimi nuk mund të mos jetë i bollshëm.

Ditë të trishtueshme, por edhe plot shpresë

Në këto ditë të trishtueshme ndarjeje nga pasardhësi i Pjetrit, Papa Françesku, i cili i priu Kishës për dymbëdhjetë vjetët e fundit, na ngushëllon, e siguria na mbështet e na siguron se në shkëlqimin e dritës së Pashkëve, i Ngjalluri vazhdon të na dërgojë Shpirtin Shenjt, i cili me siguri do të dijë si t’i ndriçojë kardinalët e thirrur për të zgjedhur Papën e ri: Prandaj, lutja jonë i drejtohet Zotit që Ai ta mirëpresë dhe ta shpërblejë Papën Françesku për të mirën që bëri për Kishën dhe njerëzimin dhe të na përgatisë për të mirëpritur pasardhësin e ri të Pjetrit që Zoti do të dëshirojë të na e japë. Amen.

25 prill 2025, 18:31