Kërko

2025.04.26 Santa Messa Esequiale del Romano Pontefice Francesco

Falënderimet e kardinajve për bashkësitë jo-katolike të pranishme në funeralin e Papës

Në një notë, Kolegji i Kardinajve falënderon "për solidaritetin e treguar në këtë çast pikëllimi" përfaqësuesit e hebraizmit, islamizmit dhe feve të tjera, si dhe sovranët, princat, krerët e shteteve dhe të qeverive, ministrat dhe autoritetet e tjera qeveritare nga e gjithë bota. Mirënjohje edhe për mijëra adoleshentët, që morën pjesë në Jubileun kushtuar atyre: “Na tregojnë fytyrën e një Kishe të gjallë”

R.SH. – Vatikan

Kolegji i Kardinajve u shpreh “falënderimet më të ndiera” krerëve të Kishave të bashkësive jo-katolike, që ishin të pranishëm, ose dërguan delegacione në funeralin e Papës Françesku, më 26 prill, si edhe përfaqësuesve të hebraizmit, islamizmit dhe feve të tjera. Në një deklaratë të Selisë së Shenjtë, kardinajtë shprehin "mirënjohje për solidaritetin e treguar në këtë çast pikëllimi", edhe për të gjitha delegacionet civile, që morën pjesë, me në krye sovranët, princat, kryetarët e shteteve dhe të qeverive, ministrat dhe autoritetet e tjera qeveritare. “Prania e tyre u vlerësua veçanërisht si pjesëmarrje në pikëllimin e Kishës dhe të Selisë së Shenjtë për ndarjen e Papës nga jeta dhe si homazh ndaj impenjimit të tij të pandërprerë në favor të fesë, paqes dhe vëllazërimit ndërmjet gjithë popujve të tokës”, theksohet në notë.

Kardinajtë falënderojnë në veçanti "autoritetet italiane, qytetin e Romës, shërbimin e sigurisë, Mbrojtjen Civile, median dhe punonjësit, përfshirë punonjësit e Selisë së Shenjtë dhe të Guvernatoratit të Shtet-Qytetit të Vatikanit, të cilët kontribuan, me përkushtim dhe bujari të madhe, në përgatitjen e gjithçkaje ishte e nevojshme për kremtimet e ndryshme, duke pranuar se, falë punës së tyre, çdo gjë u zhvillua në rregull dhe qetësi".

Së fundmi, “një mendim plot mirënjohje” për mijëra adoleshentët dhe të rinjtë, që morën pjesë në Jubileun e së dielës, 27 prill, “duke treguar fytyrën e një Kishe të gjallë, që jeton nga Zoti i saj i Ringjallur”. Kardinajtë falënderojnë edhe “gjithë popullin e Zotit, që ecën me shpresë drejt së ardhmes”.

29 prill 2025, 13:10