Kërko

2025.04.29 Giubileo delle persone con disabilità - Mons. RIno Fisichella

Imzot Fisichella: njerëzit me aftësi të kufizuara, dëshmitarë të dashurisë së vërtetë të krishterë

Lutje dhe histori prindërish e të rinjsh, që jetojnë me njerëz me aftësi të kufizuara, karakterizuan katekezën e kryeipeshkvit, imzot Rino Fisichella, në Sheshin e Shën Pjetrit, për Jubileun: "Keni qenë në hije për shumë kohë, është koha ta rigjallëroni shpresën"

R.SH. – Vatikan

Çadra të hapura dhe shumë kapele për t’u mbrojtur nga dielli i pranverës, bluza me ngjyra për të identifikuar grupin të cilit i përkasin. Ishte ky, skenari i Sheshit të Shën Pjetrit ku qindra persona me aftësi të kufizuara, të shoqëruar nga familjet dhe kujdestarët, morën pjesë në Jubileun e tyre dhe në katekezën e ish-proprefektit të Dikasterit për Ungjillëzimin, imzot Rino Fisichella. Përshëndetja në gjuhën e shenjave hapi këtë moment lutjeje dhe reflektimi, në të cilin morën pjesë njerëz nga 95 vende: nga Japonia, Bolivia, SHBA-të dhe shumë të tjerë. «E gjithë bota», pohoi kryeipeshkvi, «është këtu në Sheshin e Shën Pjetrit sot».

  (Vatican Media)

Shpresa, një flakë që duhet gjallëruar

Është Jubileu i njerëzve me aftësi të kufizuara, është Jubileu i shpresës, asaj shprese, vërejti imzot Fisichella, që e shoqëron secilin drejt atij zgjimi, të cilin mund të mos e kuptojë, por që ia orienton gjithë jetën. Një flakë që duhet të gjallërohet, që ushqen mendjen dhe zemrën. Shpresa e vërtetë, jo e lidhur me gjëra të përkohshme, kujtoi prelati, ka fytyrën e Jezusit të Nazaretit, prandaj ftesa është të ecim së bashku me Të, duke u udhëhequr nga Fjala e Tij, duke e dëshmuar me gjeste dhe vendime në jetë, sepse Ai është shpresë për të gjithë, pa përjashtuar askënd.

Dobësia, mjet për të dashur më shumë

«Ju jeni në zemër të Kishës», nënvizoi imzot Fisichella, duke iu referuar njerëzve më të brishtë dhe më të dobët, të cilët shpesh nuk kanë vëmendjen që meritojnë. “Në dobësi - shpjegoi ai - duhet të gjejmë thirrjen tonë në Kishë, brishtësia është mjet për të dashur edhe më shumë. Bëjeni aftësinë e kufizuar forcë dashurie, që u jepet të gjithëve, askush më shumë se ju nuk mund të dëshmojë dashurinë e krishterë”.

  (Vatican Media)

Me krijimtari e të gëzuar

Ftesa e kryeipeshkvit është të shihet me shpresë e ardhmja: “Keni qenë në hije për shumë kohë, ka ardhur çasti për ta rigjallëruar shpresën”, sepse ata që përjetojnë brishtësi janë dëshmitarë të dashurisë së Krishtit. Prelati tregoi historinë e një fëmije të lindur në një familje fisnike në vitin 1013, në Svevia. Një fëmijë me aftësi të kufizuara dhe me deformime, që iu besua një bashkësie murgjish. Djali i vogël quhej Erman, ai nuk dinte të fliste ose të shkruante, por murgjit e pritën me dashuri. Mësoi latinisht, greqisht, matematikë, muzikë e, madje, edhe arabisht, pastaj, vdiq nga pleuriti. "A e dini pse ua tregova këtë histori?" pyeti imzot Fisichella, “sepse pikërisht Erman shkroi lutjen e Mbretëreshës Qiellore”, lutje plot fe e një djali me aftësi të kufizuara, i cili “provoi ç’ishte shpresa, feja dhe dashuria e vërtetë për Marinë, Nënën e mëshirës”. Për këtë arsye, përfundoi imzot Fisichella, nuk duhet të dorëzohemi kurrë, “të bëhemi më krijues, më të gëzuar, më të aftë për të komunikuar shpresën, që është brenda nesh”. Së fundi, për nder të Ermanit, kënga korale e “Salve Regina” në të gjitha gjuhët e njerëzve të pranishëm në shesh.

29 prill 2025, 13:14