Kërko

Kapela Sikstine mbyllet dhe përgatitet për konklavin

Në Kapelën Sikstine vendosen karriget me emrin e secilit kardinal, si dhe soba e dyshemeja

R.SH. / Vatikan

Përpara se të fillojë Konklavi, një ekip i madh punëtorësh, i fundmi ishte 40, përgatit Kapelën Sikstine për të mirëpritur kardinajtë. Në dyshemenë e Kapelës është vendosur një strukturë e sheshtë prej druri e mbuluar nga një pëlhurë ngjyrë bezhë, rreth 50/60 centimetra mbi tokë, e vendosur në të njëjtën lartësi me shkallën e dytë të altarit.

Në Kapelën Sikstine po vendosen karriget prej druri qershie, ku shënohet emri dhe mbiemri i secilit kardinal zgjedhës. Janë, pastaj, edhe 12 tavolina  druri të papërpunuar, mbuluar me një pëlhurë bezhë dhe me saten bordo: gjashtë djathtas e gjashtë majtas, rregulluar në dy rreshta me nivel të ndryshëm. Përpara altarit, nën Gjyqin e Mbram të Mikelanxhelos,  vendoset një tavolinë prej druri për urnat. Është vendi ku do të mblidhen fletët e votimit. Do të jetë dhe një podium me Ungjillin, mbi të cilin do të betohen kardinajtë.

Do të vendosen edhe kllefe prej kadifeje për të mbledhur kartat si dhe vende rezervë me emrat e kardinajve që do të kenë një stilolaps, një dosje të kuqe dhe një fletë votimi.

Përtej portës së mermertë, do të jenë sobat (dy struktura të ngjashme të lidhura) të cilat do të përdoren për të djegur kartat: nga oxhaku i tyre do të dalë 'tymi' i zi në rastet kur nuk arrihet shumica, tymi i bardhë për zgjedhjen e Papës.

Soba, prej gize, me formë cilindrike, rreth një metër e lartë dhe 45 centimetra e gjërë, në pjesën e poshtme ka një derë për ndezjen dhe një tjetër për të shtënë kartat dhe dokumentet, që do të digjen.

Në kapakun e sipërm të stufës janë shënuar datat e zgjedhjeve në Fronin Papnor dhe emrat e gjashtë papëve të fundit.

Tymi i zi do të krijohet nga djegia e kartave; tymi i bardhë, nga djegia e fletëvotimeve dhe kashtës së lagësht, së cilës në konklavet e fundme i janë bërë edhe shtesa të tjera, për të përmirësuar dukjen e tymit.

Në Kapelën Sikstine do të vendosen, në fund, dy urna: njëra për të hedhur votat, tjetra për fletët e numëruara. Një e tretë është vendosur, në konklavin e fundit, në Shtëpinë e Shën Martës, i caktuar për kardinajtë e sëmurë, që nuk mund të lëvizin.  

29 prill 2025, 10:20