Kard. Parolin: paqja nuk imponohet, nga spiralja e luftës dilet me dialog
R.SH. / Vatikan
Selia e Shenjtë shqetësohet shumë "për rrezikun e shkallëzimit të konfliktit" në Ukrainë, sepse do të shkaktonte "vuajtje të mëtejshme dhe viktima të reja", ndërsa pranon se "do të ishte çnjerëzore t'u heqesh ukrainasve të drejtën për t'u mbrojtur". Ky është qëndrimi i Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, në një intervistë botuar në gazetën italiane “La Repubblica”, kushtuar çështjeve kryesore ndërkombëtare. “Siç e kujton vazhdimisht Papa Françesku, paqja nuk imponohet, ndërtohet me durim, ditë pas dite, me dialog dhe respekt të ndërsjelltë”, nënvizon Kard. Parolin, duke vlerësuar çdo nismë që mund të çojë në paqe, mbasi “kjo luftë nuk mund të vazhdojë më”.
Dalja nga spiralja e konfliktit të përhershëm
Problemi kryesor, sipas Kardinalit Parolin, “është vizioni gjithnjë e më individualist i njeriut dhe mosbesimi i ndërsjellë në rritje ndërmjet anëtarëve të bashkësisë ndërkombëtare. Askush nuk i beson më askujt. Nga kjo klimë lind frika, riarmatimi, agresioni parandalues dhe një spirale e përhershme konflikti. Pikërisht në këtë kontekst, detyra e Selisë së Shenjtë është të ndezë disa drita të vogla e të rindezë fjalët e Pasardhësve të Pjetrit, të cilët për më shumë se një shekull përsëritën jo-në e tyre kundër luftës dhe garës së armëve, siç vazhdon të bëjë edhe Papa Françesku”.
Duke theksuar "pikën e fillimit", domethënë se Selia e Shenjtë "mbështet qartë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës", Kard. Parolin vëren se "u takon vetë ukrainasve të vendosin çka do të duan të negociojnë, a çfarë do të mund të pranojnë nga ky këndvështrim". Një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme, sipas kardinalit, do të jetë e mundur vetëm nëse bazohet "në respektimin e drejtësisë dhe të ligjit ndërkombëtar".
SHBA-të e Trump-it dhe multilateralizmi
Sekretari i Shtetit të Vatikanit, i cili nesër, më 19 prill, do të presë nënpresidentin amerikan J. D. Vance në një vizitë në Romë, në vijim të intervistës i përgjigjet një pyetjeje për politikat dhe multilateralizmin e Trump. “Është e qartë se qëndrimi i administratës aktuale amerikane është shumë i ndryshëm në krahasim me atë që jemi mësuar”- pranon kardinali Parolin - duke shtuar: “Selia e Shenjtë përpiqet gjithnjë ta vendosë njeriun në qendër e ka shumë njerëz të ligshtë që vuajnë jashtëzakonisht, për shembull, për shkak të shkurtimeve të ndihmës humanitare”. Selia e Shenjtë - sqaron më tej - mbështet vazhdimisht bashkëpunimin shumëpalësh dhe beson se ligji ndërkombëtar dhe konsensusi i shteteve duhet të favorizohen gjithnjë.
Roli për mbrojtjen e multilateralizmit, duhet luajtur para së gjithash nga Evropa. “Nga kjo perspektivë - pohon – duket e mjerë shprehja riarmatim, gjithnjë në pararojë të mbylljeve dhe të konflikteve të reja. Kështu duket e papërshtatshme për të justifikuar nevojën e Evropës lidhur me investimin në mbrojtjen e saj, edhe në dritën e një mosangazhimi të SHBA-së në këtë drejtim”.
Sekretari i Shtetit përjashton mendimin se, për shkak të luftërave të shumta, jemi përpara “vitit zero në dialogun e feve”: nuk duhet të biem – thekson ai - në “kurthin se jemi përballë ndeshjeve të natyrës fetare”, ngaqë “nëse ka, bëhet fjalë për manipulim të fesë dhe vlerave shpirtërore për qëllime shumë më tokësore”.
Rëndësia e dialogut
Lidhur me shkatërrimin në Gaza, kardinali Parolin flet për të dhëna dhe pamje "të tmerrshme njerëzore, moralisht të papranueshme". “Vetmbrojtja është e ligjshme” - deklaron - “por nuk mund të nënkuptojë asnjëherë asgjësimin e plotë ose të pjesshëm të një populli tjetër, apo mohimin e të drejtës për të jetuar në tokën e tyre”.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me marrëdhëniet me Kinën, Kardinali pohoi se "Selia e Shenjtë dëshiron gjithnjë të ketë zyrën e saj të lidhjes me Pekinin", një hap që tani për tani mbetet "në listën e të dëshirueshmëve". Së fundi, Sekretari i Shtetit bëri thirrje për rëndësinë e dialogut:
“Besoj se kontributi më i madh që mund të japë Selia e Shenjtë në panoramën aktuale ndërkombëtare, është pikërisht ai i dialogut: të dëshmosh rëndësinë e tij dhe ta praktikosh personalisht, edhe kur është e vështirë, edhe kur mund të jetë një zgjedhje jopopullore, edhe kur mund të duket e padobishme dhe joproduktive”.