Kardinajtë reflektojnë për Kishën, botën e cilësitë e Papës së ardhshëm
R.SH. / Vatikam
Më shumë se 180 kardinaj u mblodhën sot, 28 prill, për Kongregacionin a mbledhjen e pestë të përgjithshëm në Sallën e Sinodit, në Vatikan, ku vendosën që Konklavi të fillojë më 7 maj. Lajmin e dha Matteo Bruni, drejtor i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, i cili shpjegoi se rreth njëqind nga kardinajtë e pranishëm janë zgjedhës, ndaj patën mundësi të flasin për Kishën, marrëdhëniet e saj me botën, sfidat që lindin dhe cilësitë e papës së ri.
Ungjillizimi, marrëdhëniet me besimet e tjera dhe çështja e shpërdorimit ishin disa nga temat e tjera të diskutuara sot. Gjatë takimit, i cili zgjati nga ora 9 deri në 12:25, pati rreth njëzet ndërhyrje. Ashtu si në ditët e tjera, kardinajtë që ende nuk e kishin bërë betimin, patën mundësinë ta bënin.
Short për kardinajtë që ndihmojnë kamerlengun
Gjatë Kongregacionit a mbledhjes së pestë, u hodh shorti edhe për kardinajtë e Komisionit, që do të ndihmojnë Kardinalin Camerleng, Kevin Farrell, lidhur me çështjet e zakonshme të përgatitjes për Konklavin. Janë kardinajtë Luis Antonio Tagle dhe Dominique Mamberti. Kardinali Marks është në Komision si koordinator i Këshillit për Ekonominë.
Kapela Sikstine, e mbyllur për publikun duke filluar që sot, 28 prill, përgatitet për Konklavin. Të pezulluara, edhe vizitat në Kopshtet e Vatikanit dhe në Nekropolin e Via Triumphalis.
Kongregacioni i gjashtë i përgjithshëm, që do të hapet nesër, në orën 9 të mëngjesit, do të fillojë me të parin nga dy meditimet e planifikuara para-Konklavit: do t’i mbajë Abati i Bazilikës së Shën Palit jashtë Mureve, Dom Donato Ogliari. Kongregacionet do të vazhdojnë çdo mëngjes në orën 9, deri më 6 maj, përveç të enjtes 1 maj dhe të dielës, 4 maj.