Kardinajtë te varri i Françeskut në bazilikën e Shën Marisë së Madhe
R.SH. – Vatikan
Bazilika e Zojës së Madhe në Romë u vesh me ngjyrë të purpurtë të dielën pasdite, ngjyrë tipike e anëtarëve të Kolegjit të Kardinajve, të cilët, për herë të parë pas Meshës së djeshme të Dritës, shkuan për të lutur te varri i Papës Françesku dhe kremtuan Mbrëmësoret në të Dielën e dytë pas Pashkëve, e Diela e Mëshirës Hyjnore. Tingujt e organos së Bazilikës së Shën Marisë së Madhe shoqëruan, në fillim të kremtimit, procesionin e kryesuar nga kryeprifti koadiutor i bazilikës papnore, kardinali Rolandas Makrickas. Pas Magnificat-it, një lutje ndërmjetësimi për Papën Françesku: “Zoti i Ringjallur e pranoftë në banesën e tij të dritës dhe të paqes!” Pastaj, zërat e kardinajve, së bashku me ato të ipeshkvijve, meshtarëve, rregulltarëve dhe besimtarëve, i lartuan Zotit “Atynën”, përpara bekimit përfundimtar të kryepriftit kardinal.
Prania e besimtarëve
Kisha, e cila mbeti e hapur për besimtarët për Shërbesën e Mbrëmësores, u mbush shpejt dhe ekranet gjigante të vendosura në shesh u dhanë mundësi njerëzve të shumënumërt, që mbetën jashtë, të ndiqnin lutjen. Në bazilikë, edhe Karmela, mësuesja në pension, së cilës iu drejtua Papa nga ballkoni i Poliklinikës Gemelli më 23 mars, përpara se të kthehej në Vatikan. Françesku e njohu gruan, që merrte pjesë pothuajse çdo të mërkurë në audiencën e përgjithshme dhe e përshëndeti "zonjën me lule të verdha".
Në procesion para varrit të Papës Françesku
Para dhe pas Mbrëmësores, njëri pas tjetrit, kardinajtë u përkulën në shenjë nderimi para varrit të Jorge Mario Bergoglio-s, mbi të cilin, në qendër të një kamareje, është vendosur një kopje e zmadhuar e kryqit pektoral të Papës së 266-të të Kishës Katolike Universale. Varri, me rrasën e mermerit nga Liguria e Italisë, ku ende jetojnë kushërinj të Françeskut, ndodhet ndërmjet Kapelës Pauline dhe Kapelës Sforza.
Që nga mëngjesi i sotëm, 27 prill, një radhë e gjatë njerëzish dukej deri jashtë bazilikës së Zojës së Madhe, me besimtarë nga e gjithë bota, që pritën edhe dy orë e gjysmë për t’i bërë një vizitë e për të thënë një lutje te varri i Ipeshkvit të Romës, i cili ndërroi jetë të hënën, më 21 prill dhe u varros këtu të shtunën paradite, pas kremtimit të Meshës së Dritës në Vatikan dhe pasi udhëtoi për herë të fundit me papamobil nëpër rrugët e qendrës së Romës, Qytetit të Amshuar, i përshëndetur dhe i duartrokitur nga rreth 400 mijë vetë, një det njerëzish.