Kardinali Prevost: Françesku, një Papë bujar, dha gjithçka për t'i shërbyer Kishës
R.SH. – Vatikan
Koherenca, vërtetësia, dëshira për ta jetuar Ungjillin dhe ajo afërsi e veçantë me të varfërit e me të vuajturit. E pastaj, dashuria e tij për Kishën, dëshira që të “jepte gjithçka për t'i shërbyer asaj” dhe “ndjenja e përgjegjësisë”. Këto janë tiparet e personalitetit të Papës Françesku, që i kanë bërë gjithnjë përshtypje prefektit të Dikasterit vatikanas të Ipeshkvijve, kardinalit Robert Prevost. Kardinali augustinian u deklaroi mediave të Vatikanit se e pati vlerësuar gjithmonë Atin e Shenjtë për "zemrën e tij autentike të krishterë", për "bujarinë", "bamirësinë" e tij dhe "dëshirën për ta jetuar këtë përmasë të Ungjillit deri në ditët e fundit".
Takimet në Argjentinë
I prekur, kreu i Dikasterit ndan kujtimin e tij personal për Papën. Është takuar me Jorge Mario Bergoglio-n që kur ishte kryeipeshkëv i Buenos Ajresit, prandaj, përshkruan disa aspekte të karakterit të tij e tregon edhe disa anekdota. “Më ka dhënë gjithmonë përshtypjen e një njeriu, që donte ta jetonte Ungjillin me vërtetësi dhe koherencë”, nënvizon ai. “Kur isha epror i përgjithshëm i augustinianëve, disa herë, gjatë vizitave te vëllezërit e mi në Argjentinë, kur ai ishte ende kardinal, pata mundësinë ta takoja dhe të flisja me të, jo formalisht, por edhe për çështje më institucionale”. Pasi u zgjodh Papë, Françesku e kremtoi meshën e tij të parë publike më 13 mars 2013, në famullinë e Shën Anës në Vatikan, për të cilën kujdesen rregulltarët augustinianë dhe, me atë rast, Prevost e takoi përsëri. Papa e njohu dhe e vazhdoi dialogun me eprorin e atëhershëm të Urdhrit të Shën Agustinit. “Në fund të mandatit tim, po atë vit - vijon të kujtojë kardinali Prevost - menduam ta ftojmë Atin e Shenjtë të kryesojë, më 28 gusht, meshën e hapjes së Kapitullit të Përgjithshëm” në Bazilikën e Shën Augustinit, në Romë. Bergoglio, "për habinë e madhe të të gjithëve", pranoi me kënaqësi. Ai e njihte mirë atë kishë, sepse kur vinte në kryeqytet, si kardinal, rrinte gjithmonë aty pranë, në Shtëpinë e Klerit, në Via della Scrofa dhe shkonte të lutej te varri i Shën Monikës.
Pranë të fundmëve
Pak më shumë se një vit më vonë, më 3 nëntor 2014, Françesku e caktoi Provost-in administrator apostolik të dioqezës së Chiclayo, Peru dhe më vonë ipeshkëv. Si i tillë, rregulltari augustinian takohet sërish me Papën, i cili gjithmonë shprehte shqetësimin e tij për besimtarët peruvianë. Kardinali Prevost kujton vizitën apostolike të Françeskut në Peru në vitin 2018 dhe atë grua të verbër 99-vjeçare nga dioqeza e tij, që erdhi në Trujillo, sepse donte të takonte Papën. “Ai doli nga makina, iu afrua dhe e përshëndeti. Na la shumë shembuj të këtij lloji, me humanizmin e tij të bukur, që donte ta jetonte dhe ta transmetonte Ungjillin”, vëren prefekti i Dikasterit të Ipeshkvijve. Ai vë në dukje natyrën e gëzueshme të Bergoglio-s, që shihet edhe në Nxitjen Apostolike “Evangelii gaudium” mbi shpalljen e Ungjillit në botën e sotme. "Ajo na kujton çka thotë Ungjilli dhe çka përsërisim në këtë kohë të Pashkëve: ta jetojmë gëzimin e Ungjillit, të fesë, ta njohim Jezu Krishtin". E pastaj, udhëtimi apostolik në ishullin e Lampeduzës, pranë emigrantëve, për të cilët, edhe në shkurt, u shkroi ipeshkvijve të SHBA-së, pas zbatimit të programit të dëbimit në masë të emigrantëve dhe të refugjatëve klandestinë nga ana e qeverisë. E së fundi, prania e Papës në burgun “Regina Coeli”, të Enjten e Madhe, që flet shumë mbi dëshirën e Françeskut për ta përçuar “dashurinë, që Jezu Krishti na ka lënë të gjithëve”.
Një takim javor
Për dy vjet, kardinali Prevost, me cilësinë e prefektit të Dikasterit të Ipeshkvijve, takohej me Papën Françesku çdo të shtunë në mëngjes. “Deri në fund, deshi të jepte gjithçka për misionin e tij, për punën e shërbimin e tij në Kishë”, nënvizon kardinali. "Fillimisht, takimi bëhej në orën 8 të mëngjesit. Por, nganjëherë, unë mbërrija në orën 7.30 dhe e gjeja që më priste, prandaj, fillova të shkoja pak më herët, por prapë e gjeja para meje". “Më thoshte, ndër të tjera, në fund të audiencës: “Mos e humb sensin e humorit, duhet të buzëqeshësh””. Prevost kujton lutjen e Shën Tomas Morit, të cituar disa herë nga Papa, për të na nxitur të ecim përpara në “gjëra me përgjegjësi të madhe, me hirin e besimit të madh te Zoti”. Papa ishte gjithmonë “i informuar shumë mirë”, vijon kardinali. “Shumë herë, para se të mbërrija unë, i kishte studiuar çështjet, e dinte se çfarë vendimesh duheshin marrë, ndoqi me të vërtetë jo vetëm punën e Dikasterit të Ipeshkvijve, por edhe – e di nga bisedat me prefektë të ndryshëm - të dikastereve të tjera. Ishte i palodhur, edhe në këto javët e fundit, pas shtrimit në spital. Kur u kthye në Shtëpinë e Shën Martës, patëm disa takime dhe në ato raste pashë sa i guximshëm ishte; dha gjithçka për t'i shërbyer Kishës".
Ecclesia semper reformanda est
Gjatë papnisë së tij, komenton më tej prelati, “na e transmetoi të gjithëve këtë dëshirë për të vazhduar atë që filloi Koncili II i Vatikanit, nevojën për ta rinovuar gjithmonë Kishën, ‘semper reformanda est’”, pavarësisht se mendonte se mbetet gjithnjë shumë për të bërë. Papa nënvizonte se “mesazhi është gjithmonë i njëjtë: të shpallim Jezu Krishtin, të kumtojmë Ungjillin, por mënyra për të arritur tek njerëzit e sotëm, tek të rinjtë, të varfërit, politikanët, është e ndryshme”. Ndër mësimet që ka lënë Françesku, spikat “dashuria për të varfrit”, vëren më pas kardinali, që vë në dukje dëshirën e Papës për “një Kishë të varfër, që ecën me të varfërit, që u shërben të varfërve”. "Mendoj se mesazhi i Ungjillit kuptohet shumë më mirë nga përvoja e të varfërve, të cilët nuk kanë asgjë", vazhdon kardinali, prandaj "përpiqen ta jetojnë fenë dhe të gjejnë gjithçka në Jezu Krishtin. Besoj se, në këtë kuptim, Papa ka lënë një shembull shumë të madh për botën".
Reflektim dhe mirënjohje
Por si mund ta vijojmë trashëgiminë e Papës Françesku? "Vështirë të përgjigjemi" disa orë pas vdekjes së Papës, pranon objektivisht kardinali Prevost. "Personalisht, besoj se kjo periudhë humbjeje, trishtimi, duhet jetuar, para së gjithash, në heshtje, me reflektim të thellë, me mirënjohje. Mua, të paktën, do të më duhet shumë kohë për të vlerësuar, për të kuptuar me të vërtetë çfarë ka lënë Papa për mua, për Kishën dhe për botën", përfundon prefekti i Dikasterit për Ipeshkvijtë. Për kardinalin Prevost, është e nevojshme që “ta jetojmë këtë moment si të Shtunën e Madhe, pavarësisht se tashmë e kemi kremtuar Ngjalljen e Krishtit”, ta jetojmë këtë mister të madh, që është jeta ashtu siç deshi të na e mësonte Papa Françesku.