Kongregacioni i Përgjithshëm, Dom Ogliari: Konklavi të jetë i hapur ndaj lirisë së Shpirtit
R. SH. – Vatikan
Konklavi të mos jetë një“vend i mbyllur me çelës” (siç thotë vetë termi latin nga e ka origjinën fjala), por më tepër një “Çenakull” i hapur për gjithë botën, në të cilin “mbizotëron liria e Shpirtit Shenjt”, që “rinovon, pastron, krijon”. Kjo është shpresa e Abatit benediktin të bazilikës së Shën Palit jashtë Mureve në Romë, Dom Donato Ogliari, i cili këtë mëngjes, më 29 prill, në sallën e re të Sinodit, mbajti meditimin fillestar të Kongregatës a Mbledhjes së gjashtë të Përgjithshme të kardinajve të Kishës katolike. Në këtë takim morën pjesë kardinajtë, që mbërritën në Romë për Konklavin e 7 majit, i cili do të zgjedhë pasardhësin e Shën Pjetrit. Shpirti Shenjt, vërejti Abati Ogliari, të jetë “protagonisti” kryesor i bisedave, i dinamikave, “ndonjëherë dialektike”, që karakterizojnë “çdo asamble njerëzore, në mënyrë që të ndezë mendjet dhe të ndriçojë sytë” për “të mirën e Kishës dhe të gjithë botës”.
Një moment vendimtar për Kishën
Në fillim të meditimit të sotëm para kardinajve, Abati Dom Ogliari theksoi se si, “në një moment kaq të rënduar nga pasoja për Kishën”, siç është zgjedhja e Papës, është e nevojshme të përqendrohet shpirti, mendja dhe zemra rreth personit të Jezusit: është Ai, në fakt, të cilin Kisha “është thirrur ta shpallë dhe ta dëshmojë në botë”. E nëse “në qendër të misionit” nuk do të ishte Krishti, atëherë Kisha do të ishte vetëm “një institucion” i ftohtë dhe i shterpë. Që këtej, nxitja e murgut benediktin për “t’u bazuar çdo ditë mbi këtë siguri, sepse vetëm në këtë mënyrë do të jetë e mundur të shmangen “joshjet e botës dhe rrugët e lehta të ikjes nga detyrimet, që kemi përpara”. Krishti, shtoi Dom Ogliari, qoftë frymëmarrja, busulla dhe ylli polar i Kolegjit të Kardinajve.
Jini të hapur, të guximshëm dhe profetikë
Në të njëjtën kohë, abati i Shën Palit jashtë Mureve kujtoi se ka rëndësi që kardinajtë të mësojnë nga butësia dhe përvujtëria e Jezusit, nga dashuria e tij e mëshirshme dhe e dhembshur: një Kishë më këto rrënjë, nënvizoi ai, është “e hapur, e guximshme, profetike”, “urren fjalët dhe gjestet e dhunshme ”, bëhet zëri i atyre, që nuk kanë zë. Një Kishë e rrënjosur në Krishtin, vazhdoi abati, është “mësuese e vëllazërimit”, karakterizohet nga respekti, dialogu, nga “kultura e takimit, ndërton ura e jo mure, siç na ka bërë gjithmonë thirrje Papa Françesku”.
Vazhdoni të shikoni të fundmit e tokës
Nënë dhe jo njerkë, larg vetëreferencimit, gati për të shkuar tek ata “vëllezër dhe motra në humanizëm” që nuk janë pjesë e saj, Kisha e rrënjosur në Krishtin është ajo, që i vendos të përjashtuarit, të varfërit, të nëpërkëmburit, të fundmit, në qendër të saj. Në këtë drejtim, Dom Ogliari u përqendrua në “kategorinë teologjike” të Papës së ndjerë Bergoglio, sipas të cilit varfëria, para se të jetë një problem sociologjik dhe etik, është çështje doktrinore e Kishës. Për këtë arsye, abati benediktin vuri në dukje bindjen se Kisha “nuk do të vazhdojë t'i mbajë sytë dhe zemrën të hapur ndaj të fundmëve të tokës, duke ëndërruar “edhe atë që duket e pamundur”.
Rruga sinodale: pjesëmarrja dhe rinovimi
Më pas, duke i nxitur të pranishmit t'i “nënshtrohen shqyrtimit të Shpirtit Shenjt” për të pastruar zemrat nga gjithçka që “nuk përkon me mendimin e Krishtit”, Dom Ogliari kujtoi rëndësinë e unitetit dhe të bashkimit të Kishës, kuptuar si një unitet në shumës “dhe një bashkësi e larmishme, në të cilën tjetri shihet si mundësi krahasimi me respekt e dialog, si kërkim i shtigjeve të reja”, që duhen përshkuar së bashku. Prej këtej, reflektimi mbi “rrugëtimin sinodai”, i cili – tha Dom Ogliari – pavarësisht nga ndonjë konfuzion, ose ndalesë të përkohshme, ka sjellë “pjesëmarrje dhe rinovim në çdo pjesë të botës”. Duke pasur parasysh këtë, abati benediktin kërkoi “lidhje” të frytshme midis Kishës si institucion hierarkik dhe Kishës si besimtarë laikë, përmasa thelbësore për ndërtimin e një Kishe si bashkësi. Në këtë këndvështrim, rruga apo procesi sinodal mund ta bëjë më efektiv misionin e Kishës në shoqëri.
Sfidat e Kishës në botë
Dom Ogliari e vijoi meditimin e tij me sfidat e Kishës në botë, duke përmendur ndryshimet antropologjike, luftërat vëllavrasëse, autokracitë dhe nacionalizmat, liberalizmat postkapitaliste që bazohen vetëm në fitimin e në shkatërrimin e Krijimit, rreziqet që lidhen me tekno-shkencat të reja, migrimet dhe “paaftësinë e politikës për të gjetur zgjidhje, që respektojnë parimin e shenjtë të mikpritjes, të solidaritetit dhe të gjithëpërfshirjes”; shekullarizimin e thellë, veçanërisht në shoqëritë perëndimore. Para të gjitha këtyre udhëkryqeve, vuri në dukje abati, Kisha është e thirrur të ndjekë “pa frikë rrugën e dialogut”, “të intensifikuar nga Papa Françesku në të gjitha frontet”, si “element themeltar i misionit kishtar”.
Sfidat e brendshme të Kishës
Dom Ogliari nuk mungoi t'i referohej edhe sfidave të brendshme të Kishës, si “plaga qelbëzuese e abuzimeve, ulja e thirrjeve meshtarake dhe rregulltare, kërkimi i fjalëve të reja për njeriun e sotëm, roli i gruas, rreziku i klerikalizmit dhe burokratizimi i shërbesës priftërore. E gjithë kjo, shtoi ai, nuk është “sterile vetë-keqardhje, por më tepër një nxitje për të kujtuar në të njëjtën kohë ” të mirën e pamasë që bën Kisha në çdo gjerësi gjeografike, edhe kur shpallja e fesë së krishterë përfshin “ostracizëm ose vdekje”. Prandaj, ftesa për të parë, midis shumë sfidave, “praninë e gjallë të Krishtit të Ngjallur” që shoqëron Kishën e tij edhe ndër vështirësitë e historisë.