Kongregacioni i tretë i Përgjithshëm, "diskutimet mbi Kishën dhe botën"
R.SH. – Vatikan
Përfundoi sot në mesditë, Kongregacioni i tretë i përgjithshëm i kardinajve, me pjesëmarrjen e 113 prej tyre. Drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, njoftoi se u betuan kardinajtë, që nuk e kishin bërë ende, siç parashikohet nga Kushtetuta Apostolike “Universi Dominici Gregis”. Folën 34 vetë. U bë një ndryshim për ditën e gjashtë të Nëntëditëshit të zisë, kur do të kremtojë meshën kardinali Víctor Manuel Fernández e jo Kamerlengu, kardinali Kevin Farrell, siç ishte parashikuar fillimisht.
Kardinajtë zgjodhën edhe dy rregulltarët, që do të mbajnë predikimet e parashikuara nga “Universi Dominici Gregis”. I pari, në fillim të javës së ardhshme, do të jetë abati benedektin i Bazilikës së Shën Palit jashtë Mureve, Donato Ogliari. Rregulltari, që do të mbajë meditimin e dytë, në fillim të Konklavit, do të jetë kardinali Raniero Cantalamessa, ish-predikatar papnor.
Pasi u lexuan paragrafët nga 1 deri në 23 të “Universi Dominici Gregis”, për herë të parë pas fillimit të asambleve të kardinajve, nisën diskutimet për mënyrën si e shohin prelatët gjendjen e Kishës e të botës në ditët e sotme. Kongregacioni tjetër i Përgjithshëm do të mbahet nesër në mëngjes në orën 9.00.
Po drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë njoftoi, së fundi, se nga ora 11.00 e paradites së djeshme deri në orën 13.00 të ditës së sotme, 61 mijë vetë i kanë bërë homazhe trupit të Papës Françesku, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Kisha më e rëndësishme e krishterimit do të mbyllet në mesnatë, por nëse ka njerëz, do të mbetet akoma e hapur, ashtu si dje, që mbeti e hapur deri në orën 5.30.
Mënyra e zhvillimit të Meshës së dritës për funeralin e Papës, të shtunën, më 26 prill, do të publikohet nesër. Të shtunën në mbrëmje, në orën 21.00, do të thuhet Rruzarja jashtë Bazilikës së Zojës së Madhe, e jo brenda. Ceremonia e varrimit të Atit i Shenjtë në këtë Kishë, do të jetë private, por besimtarët mund të shkojnë te varri i Papës Françesku, duke filluar nga e diela, 27 prill.
Ndërkaq, po në bazilikën e Zojës së Madhe, vijon çdo mbrëmje lutja e Rruzares. Sonte (24 prill), kryesohet nga kardinali Luis Antonio Tagle, ndërsa nesër, nga Patriarku Latin i Jerusalemit, kardinali Pierbattista Pizzaballa.