Kërko

Konklavi i vitit 1978 Konklavi i vitit 1978

Konklavi, histori ndërmjet Mesjetës dhe së ardhmes

Udha drejt Pasardhësit të 267-të të Shën Pjetrit kalon nëpër këtë institucion të themeluar për të shmangur zgjatjen e tepruar të Selisë Vakante. Për zgjedhjen e Papës, kërkohet një shumicë e kualifikuar prej dy të tretash të votave

R.SH. – Vatikan

Pas disa ditësh, Kapela Sikstine në Vatikan hap dyert për historinë, por i mbyll për sytë e botës. Duke filluar nga 7 maji, kardinajtë me të drejtë vote mblidhen në këtë thesar artistik kushtuar Zotit për të zgjedhur Papën e ri të Kishës Katolike universale. Konklavi, tashmë krejt pranë, është i shtatëdhjetë e gjashti në historinë e Kishës; i njëzet e gjashti, që mbahet nën hijen e Gjykimit të Mbramë të Mikelanxhelos, kryeveprës së altarit, realizuar nga artisti i famshëm toskan, ndërmjet viteve 1536 e 1541, me porosinë e Papës Klementi VII.

Cum-clave

Termi Konklav, i cili rrjedh nga latinishtja "cum-clave", i referohej një hapësire të rezervuar në shtëpi, pra, një hapësire “të mbyllur me çelës”. Në gjuhën e Kishës përdoret për të treguar si vendin e mbyllur ku bëhet zgjedhja e Papës, ashtu edhe bashkësinë e Kolegjit të Kardinajve të thirrur për të zgjedhur Papën e ri.

Zgjedhja e Papës

Ai që do të hapet më 7 maj është Konklavi i shtatëdhjetë e gjashtë, i strukturuar në formën që njohim sot, duke filluar nga viti 1274, me Papën Gregori X. Në periudhën para kësaj date, flitej thjesht për zgjedhjen e Papës e jo për Konklav. Në më se 1200 vitet e para të historisë së Kishës, pasardhësi i Shën Pjetrit, si Ipeshkëv i Romës, zgjidhej me përfshirjen e bashkësisë vendase. Kleri shqyrtonte kandidatët e propozuar nga besimtarët dhe Papa zgjidhej nga ipeshkvijtë. Nga shekulli IV deri në shekullin XI, zgjedhjet ndikoheshin edhe nga jashtë: perandorët romakë, karolingjë dhe të tjerë u përpoqën në mënyra të ndryshme të kontrollonin procesin e caktimit të Papës.

Rrënjët e Konklavit

Gjatë shekujve, në strukturën e zgjedhjes së Papës janë bërë shumë ndryshime, të cilat i kanë dhënë formën e tanishme. I pari, që ndërhyri për këtë, ishte Papa Nikolla II, në vitin 1059, me bulën “In nomine Domini”. Në këtë dokument u përcaktua se vetëm kardinajtë mund të zgjidhnin Papën Romak. Ky vendim u ratifikua përfundimisht nga Kushtetuta “Licet de vitanda” e shpallur nga Papa Aleksandri III, në vitin 1179. Në të, sqarohet se për zgjedhjen e Papës nevojitet një shumicë prej dy të tretash të votave, një element i rëndësishëm, që ka mbijetuar deri në ditët e sotme.

Zgjedhjet e vitit 1268

Në vitin 1268, zgjedhja e Papës së ri u bë vendimtare për vendosjen e rregullave të tjera. 18 kardinaj, siç thonë burimet historike, ishin mbledhur në Pallatin Papnor të Viterbos për të zgjedhur Atin e Shenjtë. Është "Konklavi" më i gjatë në histori, pasi Papa zgjidhet pas dy vjetësh e nëntë muajsh. Ishin kohë të trazuara. Gjatë asaj periudhe të gjatë, popullsia e Viterbos, e acaruar, vendosi t'i mbyllte kardinajtë në Pallat deri sa të merrnin vendim. Dyert u mbyllën me mur dhe u hoq çatia. Më në fund, u zgjodh Gregori X, kryediakoni i Liège-it (Belgjika e sotme), i cili, në atë kohë, ndodhej në Tokën Shenjte. Duke parë se ishte më se e nevojshme vendosja e normave për zgjedhjen e Papës,  ai vetë, në vitin 1274, shpalli Kushtetutën “Ubi periculum”, e cila themeloi zyrtarisht Konklavin. Ndër të tjera, në të përcaktohet se Konklavi duhet mbajtur në një vend të “mbyllur me çelës” nga brenda dhe nga jashtë.

Konklavi i parë në histori

Mbi bazën e këtyre dispozitave, Konklavi i parë në histori, pas shpalljes së kushtetutës “Ubi periculum”, ishte ai i Arezzo-s në vitin 1276, ku u zgjodh Papa Inocenti V. Në vitin 1621, Gregori XV vuri detyrimin e votimit të fshehtë, me shkrim. Në vitin 1904, Papa Piu X e shfuqizoi, në çdo formë të saj, të drejtën e vetos (ius esclusivae, në latinisht), privilegj i lashtë i disa sovranëve katolikë për të mos lejuar që të bëhej Papë një person i papëlqyer prej tyre. Gjithashtu, sanksionohet detyrimi për të mbajtur sekret gjithçka ndodh në Konklav, edhe pas zgjedhjes së Papës. Si rregull, dokumentacioni përkatës ruhet dhe është në dispozicion vetëm të Papës.

Ndryshimet nga shekulli XX deri më sot

Pas Luftës II Botërore, në vitin 1945, Papa Piu XII shpalli Kushtetutën “Vacantis Apostolicae Sedis”, e cila paraqiste disa risi. Në veçanti, nga çasti i fillimit të Selisë Vakante, të gjithë kardinajtë - përfshirë Sekretarin e Shtetit dhe prefektët e Kongregacioneve – nuk mund të ushtronin më detyrat që kishin, me përjashtim të Kamerlengut, Pendestarit Apostolik dhe Vikarit të Romës. Më pas, me Motu Proprio-n “Ingravescentem Aetatem”, Papa shenjt Pali VI vendosi që kardinajtë të kishin të drejtë vote deri në moshën 80 vjeç.

Normat për zgjedhjen e Papës

Legjislacioni, aktualisht në fuqi, për zgjedhjen e Papës është kushtetuta “Universi Dominici Gregis”, e miratuar nga shën Gjon Pali II në vitin 1996 dhe e ndryshuar nga Papa Benedikti XVI në vitin 2013. Ndër të tjera, ajo përcakton se Konklavi duhet të mbahet në Kapelën Sikstine, e quajtur si Via Pulchritudinis, rruga e bukurisë e aftë të udhëheqë mendjen dhe zemrën drejt Amshimit. Motu Proprio i Benediktit XVI “De Aliquibus Mutationibus in Normis de Electione Romani Pontificis” parashikon gjithashtu që, pas 34 votimeve në të cilat nuk ka dalë asnjë emër, kardinajtë thirren të votojnë për dy emrat, që kanë marrë më shumë vota në votimin e fundit, duke ruajtur - edhe në balotazh - rregullin e shumicës prej dy të tretash të votave të nevojshme për të zgjedhur Bariun e ri të Kishës universale.

Duke pritur pasardhësin e 267-të të Shën Pjetrit

Tani në Kapelën Sikstine, po hapet një kapitull i ri i historisë së Kishës. Janë gjithnjë afresket e Mikelanxhelos ato, që do të mbikëqyrin zgjedhjen e Papës Romak. Sytë dhe shpresat e botës janë kthyer drejt kësaj “Via Pulchritudinis”, e cila është mbyllur që nga dita e djeshme, e hënë 28 prill, në përgatitje të Konklavit, duke pritur të shohë fytyrën dhe të mësojë emrin e Ipeshkvit të ri të Romës.

29 prill 2025, 10:30