Kërko

2025.04.29 Santa Messa nel IV giorno dei Novendiali

Konklavi: kardinajtë kërkojnë lutje nga besimtarët

Prelatët, në përfundim të Kongregacionit të sotëm të Përgjithshëm në përgatitje të Konklavit, vënë në dukje se duan t’i drejtojnë “Popullit të Zotit ftesën për ta jetuar këtë kohë kishtare si ngjarje hiri dhe shqyrtimi shpirtëror, në dëgjim të Vullnetit të Zotit”. Për këtë arsye, “të vetëdijshëm për përgjegjësinë në të cilën janë të thirrur, ndiejnë nevojën të mbështeten nga lutjet e të gjithë besimtarëve”

R.SH. - Vatikan

Kolegji Kardinalor në Romë, në përfundim të Kongregacionit të sotëm të Përgjithshëm në përgatitje të Konklavit, kërkon të mbështetet nga besimtarët me lutje. Në një deklaratë, prelatët vënë në dukje se duan t’i drejtojnë “Popullit të Zotit ftesën për ta jetuar këtë kohë kishtare si ngjarje hiri dhe shqyrtimi shpirtëror, në dëgjim të Vullnetit të Zotit”. Për këtë arsye, “të vetëdijshëm për përgjegjësinë në të cilën janë të thirrur, ndiejnë nevojën të mbështeten nga lutjet e të gjithë besimtarëve”.

Lutja, forca e vërtetë e Kishës

Pikërisht lutja, vërejnë kardinajtë, “është forca e vërtetë, që nxit në Kishë bashkimin e të gjithë anëtarëve në të vetmin Korp të Krishtit (1 Kor 12,12). Përballë rëndësisë së detyrës së afërt dhe urgjencave të kohës së sotme, para së gjithash, është e nevojshme të bëhemi mjete të përvuajtura të Urtisë pa fund dhe të Provanisë së Atit Qiellor, duke iu bindur dikimit të Shpirtit Shenjt. Në fakt, Ai është protagonisti i jetës së Popullit të Zotit, Atë duhet të dëgjojmë, duke pranuar gjithçka i thotë Kishës (shih Zb 3,6).

Zoja jonë e Bekuar e shoqëroftë këtë lutje korale me ndërmjetësimin e saj amënor”, përfundon deklarata e kardinajve.

Kongregacioni i shtatë i kardinajve

         Kongregacioni i sotëm, i shtati i kardinajve para fillimit të Konklavit, u mblodh në orën 9. Në pjesën e parë, u fol për gjendjen ekonomike e financiare të Selisë së Shenjtë, nga kardinajtë Marx, Farrell, Schönborn, Vergez, Krajewski. Kardinali Marx, koordinator i Këshillit të Vatikanit për Ekonominë, paraqiti sfida, probleme e propozime, në perspektivën e qëndrueshmërisë afatgjatë, me qëllim që strukturat ekonomike të vazhdojnë të mbështesin reformat e papnisë. Kardinali Schönborn foli si president i Komisionit Mbikëqyrës të IOR-it (të ashtuquajturës Banka e Vatikanit). Kardinali Vergez solli hollësi mbi situatën në Guvernatorat, duke përmendur punimet e ristrukturimit, ndërsa kardinali Krajewski foli për veprimtaritë e Dikasterit për Bamirësinë.

         Në pjesën e dytë, u lexua komunikata drejtuar Popullit të Zotit për lutje dhe pasuan 14 ndërhyrje mbi tema si: ekleziologjia e Popullit të Zotit; plaga e polarizimit në Kishë dhe e përçarjes në shoqëri; sinodaliteti dhe kolegjialiteti ipeshkvnor, për ta kapërcyer këtë polarizim; thirrjet në jetën meshtarake dhe rregulltare; ungjillëzimi, duke pasur parasysh përkimin e jetës me kumtimin e Lajmit të Mirë. U përmendën shpesh tekstet konciliare “Lumen Gentium” dhe “Gaudium et Spes”. Kongregacioni përfundoi në orën 12.30 me lutjen e Mretëreshës Qiellore. Nesër, 1 maj, si edhe të dielën nuk do të ketë konkregacione të përgjithshme.

30 prill 2025, 13:38