Kremtimi i Mundimeve të Krishtit, atë Pasolini: në kohën e AI, Kryqi është inteligjencë që i do njerëzit
R.SH. – Vatikan
E Premtja e Madhe e kryqëzimit të Zotit tonë Jezu Krisht, në qendër të homelisë së Predikatarit të Shtëpisë Papnore, Atë Roberto Pasolini, gjatë liturgjisë së Premtes së Madhe të Mundimeve të Jezu Krishtit, kremtuar në orën 17.00, Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, nga i deleguari i Papës Françesku, kardinali Claudio Gugerotti, prefekt i Dikasterit për Kishat Lindore.
“Sot, liturgjia na fton në heshtje dhe përkujtim, sepse është dita në të cilën na marrin Dhëndrin. Të Premten e Madhe - vërejti Predikatari - Kisha ndalet në adhurim dhe kundron jo dështimin e Zotit, por triumfin e tij të mistershëm në një formë paradoksale, atë të kryqit”.
Mundimet e vdekja e Jezu Krishtit, shpjegoi françeskani Atë Pasolini, na propozon një inteligjencë të ndryshme nga inteligjencat e botës së sotme, si ajo artificiale, kompjuterike apo edhe parashikuese. Është inteligjenca e Kryqit, që nuk bën llogari, por i do njerëzit; që nuk mendon për përfitimet, por është vendim autentik, bazuar në dëshirën për t’i dashur të tjerët deri në fund.
Zoti nuk ia kurseu Krishtit vuajtjen, por e bëri Shpëtimtar të botës
Pyetja, që mund t’i bëjmë vetes në këtë të Premte të Madhe, ndërsa marrim pjesë në kremtimin e Udhës së Kryqit të Jezu Krishtit, është kjo: nëse Ati Qiellor nuk ia kurseu vdekjen as Birit të tij të vetëm, si do të sillet me ne kur t’i lutemi të na shpëtojë nga vuajtjet, pavarësisht se i ofrojmë gjithë lotët tanë?
“Në të vërtetë – u përgjigj atë Pasolini - ne e dimë mirë se si Ati deshi t'i përgjigjej lutjes së të Birit: Ai nuk ia kurseu mundimin e kryqit, por e lejoi të bëhej, pikërisht në atë altar, Shpëtimtari i botës. Zoti nuk ia kurseu Krishtit vuajtjen, por ia forcoi zemrën, duke e bërë të aftë të plotësojë kërkesat e dashurisë më të madhe, asaj që nuk ndalet as përballë armiqve”.
E Krishti zgjodhi rrugën e lëshimit të plotë në duart e Hyjit, udhë e hapur për këdo, që është gati t’i besojë deri në fund Atit Qiellor, të udhëhiqet nga vullneti i tij edhe në ngjarjet më të vështira të jetës. Predikatari papnor u ndal në tri çaste të Mundimeve të Krishtit, që e dëshmojnë këtë.
“Jam unë”
Kujtoi përgjigjen e Jezusit në kopshtin e Gjetsemanit, ku, pas tradhtisë së Judës, erdhën ta merrnin rojet për ta kryqëzuar. Dy herë me radhë u përgjigj: “Jam unë” atyre, që e kërkonin, duke e ofruar jetën e vet lirisht.
“Si është e mundur të bëhet kjo? – komentoi atë Pasolini. - Duke bërë një hap përpara. Duke u paraqitur të parët në takimin me realitetin. Ky qëndrim pothuajse kurrë nuk e ndryshon rrjedhën e ngjarjeve - në fakt, Jezusi arrestohet menjëherë më pas - por nëse jetohet me besim në Zotin dhe në historinë që Ai drejton, na mundëson të mbetemi shpirtërisht të lirë dhe të palëkundur. Vetëm në këtë mënyrë, barra e jetës bëhet më e lehtë dhe vuajtja, megjithëse reale, pushon së qeni e padobishme dhe fillon të lindë jetë”.
“Kam etje”
Çasti i dytë i Mundimeve të Krishtit, përmendur nga Predikatari papnor, ishte ai i Jezusit në kryq, që kërkon ujë e i japin uthull. Ajo “Kam etje” e tij ishte edhe shprehja më e dashur e Nënë Terezës, shenjtores shqiptare të bamirësisë. Tregon një nevojë ekzistenciale, që Jezu Krishti e nxjerr në pah pa turp. Duke u kthyer në jetën e secilit prej nesh, atë Pasolini vuri në dukje se kur vuajmë, tundohemi të mbyllemi në vetvete e, ndonjëherë, duke mos kërkuar asgjë, mendojmë se bëjmë mirë, sepse nuk i shqetësojmë të tjerët. Por nuk është ashtu.
“Të kërkojmë çka kemi nevojë dhe t'i lejojmë të tjerët ta na e japin, është ndoshta një nga format më të larta dhe më të përvuajtura të dashurisë. Për ta bërë këtë, duhet të braktisim çdo krenari, por edhe çdo iluzion se mund të shpëtojmë të vetëm. Duhen pranuar nevojat që kemi jo si dobësi për t'u fshehur, por si e vërtetë për t'u banuar. E, duhet pranuar edhe se nuk mund - dhe nuk duam - të jetojmë vetëm”.
“Gjithçka u krye”
Çasti i tretë, vënë në dukje nga Predikatari papnor, ishte ai para se Jezu Krishti të jepte shpirt, kur tha: “Gjithçka u krye”. Duket sikur gjithçka mori fund me aq, por historia e më se 2000 vjet krishtërim tregon të kundërtën. Fjalët e fundit të Jezusit të kryqëzuar, vërejti ai, na tregojnë se sa jetë mund të rrjedhë nga ato çaste kur duket sikur s’ka mbetur më asgjë për t’u bërë, por në të vërtetë, mbetet gjëja më e bukur: dhurimi i vetvetes.
Kryqi i Krishtit është shpresa e të krishterëve
Duke kujtuar Jubileun e shpresës, që po përjetojmë, atë Roberto Pasolini nënvizoi se pikërisht kryqi i Krishtit është shpresa e të krishterëve, të cilët, me vetëdije, e zgjedhin si udhë të vetme të mundshme në jetë.
“E dimë mirë - përfundoi ai - se forcat tona nuk do të jenë të mjaftueshme për ta përshkuar këtë udhë, por Shpirti Shenjt, që tashmë i ka mbushur zemrat tona me shpresë të ëmbël, do t'i vijë në ndihmë dobësisë sonë për të na kujtuar gjënë më të rëndësishme: ashtu siç na kanë dashur, ashtu do të jemi në gjendje të duam, miqtë e, madje, edhe armiqtë. Atëherë do të jemi dëshmitarë të së vërtetës së vetme, që e shpëton botën: Hyji është Ati ynë. E ne të gjithë jemi motra dhe vëllezër në Jezu Krishtin, Zotin tonë”.