Papa bën thirrje për uljen e tensioneve në Sudanin e Jugut
R.SH. – Vatikan
Nga shtëpia e Shën Martës, në Vatikan, ku që tetë ditë është në konvaleshencë dhe vazhdon terapitë e tij, pasi të dielën e kaluar doli nga nga Poliklinika Gemelli, Papa Françesku i drejtohet aktualitetit ndërkombëtar dhe në veçanti vendeve të copëtuara nga luftërat dhe armiqësitë. Në tekstin e Engjëllit të Zotit, të shpërndarë me shkrim nga Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë, pas një reflektimi të shkurtër mbi pjesën e Ungjillit të kësaj së diele të 4–të të kohës së Kreshmëve nga Luka, që flet për mëshirën e Zotit, dhe për këto Kreshmë, për t'i jetuar “si një kohë shërimi”, Papa shpreh “shqetësimin e tij për situatën në Sudanin e Jugut“.
Rinovoj thirrjen time të përzemërt drejtuar të gjithë liderëve që të bëjnë përpjekjet e tyre maksimale për të ulur tensionin në vend. Të lënë mënjanë dallimet dhe, me guxim dhe përgjegjësi, të ulen rreth një tavoline për të filluar një dialog konstruktiv. Vetëm kështu do të mund të lehtësohen vuajtjet e popullatës së dashur sudaneze të jugut dhe të ndërtohet një e ardhme paqeje dhe stabiliteti.
Të hapen negociatat në Sudan
Shqetësimi i Papës është gjithashtu edhe për Sudanin fqinj, ku “lufta vazhdon të shkaktojë viktima të pafajshme”, prandaj thirrja për të mbrojtur popullsinë, për të hapur negociatat që të heshtin armët dhe të dërgohen ndihmat humanitare.
U bëj thirrje palëve të përfshira në konflikt që të vënë në plan të parë mbrojtjen e jetës së vëllezërve të tyre civilë; dhe shpresoj që negociatat e reja të fillojnë sa më shpejt që të jetë e mundur, të afta për të siguruar një zgjidhje të qëndrueshme të krizës. Komuniteti ndërkombëtar t’i shton përpjekjet e tij për t'u marrë me katastrofën e tmerrshme humanitare.
Ftesa për t'u lutur për paqe
Dhe nuk mungon, në fjalët e Papës, ftesa për të mos harruar vendet e tjera ku ka disa kohë që luftohen ose aty ku ka emergjenca dhe vështirësi. Duke besuar në mëshirën e Hyjit Atë, të vazhdojmë të lutemi për paqe: në Ukrainën e munduar, në Palestinë, Izrael, Liban, në Republikën Demokratike të Kongos dhe në Mianmar, e cila vuan kaq shumë edhe nga tërmeti.
Rezultati i shkëlqyer diplomatik mes Taxhikistanit dhe Kirgistanit
Me një vështrim ndaj mbarë njerëzimit, Papa Françesku citon gjithashtu edhe faktet më të fundit “pozitive, të tilla si ” ratifikimi i Marrëveshjes për përcaktimin e kufirit midis Taxhikistanit e Kirgistanit, e cila përfaqëson një rezultat të shkëlqyer diplomatik, dhe inkurajon “të dy vendet të vazhdojnë në këtë udhë”, dhe së fundi iu drejtua “Zojës Mari, Nëna së mëshirës” që “të ndihmojë familjen njerëzore të pajtohet dhe të jetojë në paqe”.